Suedia ka ndaluar grumbullimet të më shumë se pesë personave në një tubim. Këto vendime kanë ardhur nga autoritetet qeveritare, ku thuhet se kjo masë është ndërmarrë me qëllim të ndalimit të përhapjes së koronavirusit.
Mediat e huaja shkruajnë se ky kufizim i ri është pjesë e Ligjit për Rendin Publik dhe për këtë arsye, ky është një ligj, jo rekomandim si shumë nga masat e ndërmarra.
Qytetarët që shkelin ndalimin dhe organizojnë ngjarje me mbi tetë persona të ftuar, mund të përballen me gjoba ose dënim me burg deri në gjashtë muaj.
Ndryshimi i ligjit do të hyjë në fuqi më 24 nëntor dhe do të fillojë zbatimin për katër javë, shkruan The Local.
“Situata do të përkeqësohet. Kryeni detyrën tuaj dhe merrni përgjegjësi për të ndaluar përhapjen e virusit. Po e them përsëri: Do të përkeqësohet”, ka deklaruar kryeministri Stefan Löfven.
Masat ndaluese në Suedi për pjesëmarrësit në tubime publike ishin ulur në 50 persona në mars dhe ishte rritur në 300 në fund të tetorit. Megjithatë, disa rajone zgjodhën të mbanin kufirin e poshtëm me 50 persona në tubime.
Ndalimi i ndërmarrë do të zbatohet në ngjarje publike si: koncerte, shfaqje dhe ndeshje sportive, por jo edhe në shkolla ose vende pune.