Suedia mbështet Kosovën në liberalizimin e vizave

Prishtinë | 30 Maj 2017 | 09:18 | Nga

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Mimoza Ahmetaj, mori pjesë në seminarin e bashkë-organizuar nga Përfaqësimi i Komisionit Evropian në Suedi dhe Ministria e Jashtme e Suedisë.

Në këtë seminar me temë “Ballkani Perëndimor dhe integrimet në BE”, ku të pranishëm ishin pjesëtarë nga shoqëria civile, kori diplomatik dhe përfaqësues institucionesh vendore e ndërkombëtare, ministrja Ahmetaj prezantoi progresin, sfidat dhe planet e Republikës së Kosovës, por edhe të Ballkanit Perëndimor në rrugën e integrimeve evropiane.

Pjesëmarrës në këtë seminar ishin ministrat dhe zëvendës ministrat e punëve të jashtme dhe të integrimeve evropiane nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor (përveç Malit të Zi) dhe zyrtarët e lartë nga Komisioni Evropian në Bruksel.

Përveç diskutimeve dhe prezantimit në seminar, ministrja Ahmetaj pati takime me homologët nga rajoni, si dhe zhvilloi edhe një takim bilateral me ministren e Punëve të Jashtme të Suedisë, Margot Wallstrom, e cila gjithashtu ishte nikoqire dhe pjesëmarrëse e seminarit.

Gjatë këtij takimi bilateral u bisedua për përkrahjen e Suedisë për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe mbështetja për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Kryediplomatja suedeze Wallstrom e falënderoi ministren e integrimeve Ahmetaj për pjesëmarrjen në seminar dhe kontributin gjatë punimeve.

Kjo është hera e dytë që organizohet një seminar i tillë me pjesëmarrje të ministrave nga Ballkani Perëndimor dhe u dakordua që në pjesën e dytë të vitit të organizohet sërish një i tillë me tema konkrete të bashkëpunimit të ndërshtetëror në rajon dhe me BE-në.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme