Dy medalje të arta e një të bronztë është bilanci i Kosovës në Kupën Evropiane për juniorë në xhudo, që të shtunën e të dielën u mbajtën në Athinë të Greqisë.
Në këtë garë u paraqitën 346 xhudistë nga 25 vende, ndërsa Kosova u rendit si përfaqësuesja e tretë më e suksesshme, pas Bjellorusisë e Turqisë. Bjellorusia garoi me 11 garues, Turqia me plot 43, ndërsa Kosova i kishte gjashtë garues, shkruan sot “Koha Ditore”.
Të shtunën medalje të arta fituan Erza Muminoviq në kategorinë deri 48 kilogramë dhe Flaka Loxha në kategorinë deri 57 kilogramë. Erza, që është 16-vjeçare, fitoi ndaj garueseve nga Greqia, Bullgaria, Rusia e Austria. Muminoviq vjet ishte kampione evropiane për kadete dhe fitoi medaljen e bronztë në Lojërat Olimpike për të Rinj. Por së fundi ka pasur dy gara të pasuksesshme, para se të kthehet në rrugën e duhur në Athinë.
Ndërkohë, Flaka Loxha fitoi ndaj garueseve nga Turqia, Gjermania, Hungaria e Austria. Për të është suksesi më i madh deri më tani. Në kategorinë deri 57 kilogramë garoi edhe Fationa Kasapi që u ndal në luftën e parë.
Laura Fazliu nisi fuqishëm në kategorinë deri 63 kilogramë, duke shënuar dy fitore. Por u ndal në gjysmëfinale nga një polake e më pas e humbi edhe luftën për të bronztën nga një izraelite, dhe kështu u rendit e pesta.
Të dielën garuan xhudistët. Shpati Zekaj në kategorinë deri 100 kilogramë shënoi dy fitore para se të mposhtej nga një turk në gjysmëfinale. Për medalje të bronztë e mposhti një turk tjetër. Arbër Kullashi u rendit i shtati në kategorinë deri 81 kilogramë, duke shënuar katër fitore e duke pësuar dy humbje.