Dy futbollistët e Përfaqësueses U-21, Valmir Sulejmani e Dren Feka, e njohin më mirë se kushdo tjetër te Kosova fuqinë që ka kampionia në fuqi e Evropës, Gjermania, shkruan sot Koha Ditore.
Të dy futbollistët në të kaluarën kanë qenë pjesë e grupit të lojtarëve që sot përfaqësojnë Shpresat (U-21) të Gjermanisë.
Sulejmani 22-vjeçar në vitet 2012 e 2013 ka luajtur pesë ndeshje për ekipin U-17 të Gjermanisë, kurse Feka 20-vjeçar është paraqitur më shumë herë për Gjermaninë.
Dy ndeshjet e fundit i ka zhvilluar në fund të vitit 2015, me ekipin U-19 të Gjermanisë, derisa dy paraqitje ka edhe me U-17 dhe tri të tjera me U-16.
Më pas, të dy kanë shkëputur bashkëpunimin me Gjermaninë, me apo pa fajin e tyre dhe sot janë lojtarë kyç te Përfaqësuesja U-21 e Kosovës.