Tre persona u plagosën dhe një tjetër humbi jetën në Kaliforni, gjatë homazheve për vdekjen e reperit, Nipsey Hussle, të cilin e vranë në moshën 33-vjeçare muajin e kaluar. Të plagosurit i përkasin moshës 30-50 vjeçare, ndërsa e vdekur ka mbetur një grua afroamerikane, deklaroi policia e Los Angeles.
Efektivët thanë se të dyshuarit ishin në një automjet “Hyundai” gri, ndërkohë që mijëra fansa dhe të afërm të reperit shoqëronin arkivolin e tij. Incidenti ndodhi rreth 15 minuta larg vendit ku Nipsey u vra në mars.
Policia bënte thirrje vazhdimisht për të ndalur incidentet dhe dhunën, ndërsa deri më tani është e qartë nëse incidenti ishte i lidhur me memorialin e Nipsey Hussle, por shefi i LAPD tha se ndodhi “në mes të këtij memoriali”.
Mijëra fansa kishin udhëtuar me qindra kilometra për të qenë në memorialin e reperit amerikan, Nipsey Hussle, i cili është vrarë me armë zjarri jashtë dyqanit të tij të veshjeve në Los Angeles, SHBA.
Emri i vërtetë i Nipsey Hussle ishte Davidson Asghedom dhe ishte 33 vjeç. Në moshën e adoleshencës ka qenë pjesë e një bande kriminale në Los Angeles. Në vitin 2018, albumi i tij “Victory Lap” u nominua si albumi më i mirë i këngës rep në çmimet Grammy, ndërsa në mesazhin e tij të fundit në Twitter shkruante: “Të kesh armiq të fortë është një bekim.”
Për ngjarjen reaguan edhe shumë personazhe të njohur, mes të cilëve edhe Rihanna, Obama, dhe Ivanka Trump.