Militantët kanë kryer disa sulme vdekjeprurëse në Afganistan, një ditë pasi qeveria ka shpallur armëpushim të njëanshëm me talibanët, i cili do të hyjë në fuqi javën e ardhshme.
Në provincën lindore Nangarhar, miitantët sulmuan shtëpinë e një ligjvënësi, duke lënë tre veta të vdekur.
Përgjegjësinë për këtë sulm e morën militantët e Shtetit Islamik.
Në provincën perëndimore të Heratit, së paku dy persona u vranë pasi persona të armatosur sulmuan një xhami në rrethin Shindand.
Zyrtarët thanë se militantët e Shtetit Islamik kanë vrarë pesë policë në provincën Jovzjan.
Të enjten, presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani, shpalli armëpushim me kryengritësit talibanë nga data 12 deri më 20 qershor, kur të kenë përfunduar edhe Muaji i Ramazanit dhe Festa e Bajramit.
Ghani tha se armëpushimi nuk do të përfshijë Shtetin Islamik, Al Kaidën dhe “grupet e tjera terroriste ndërkombëtare”.