Sulmet me armë zjarri, plagosjet, plaçkitjet nën kërcënim të armëve dhe grabitjet janë bërë të përditshme në pjesën veriore të Mitrovicës.
Vetëm gjatë kësaj jave në atë pjesë kanë ndodhur disa raste të plaçkitjes nën kërcënim të armëve.
Një familje shqiptare në lagjen “Kroi i Vitakut” është sulmuar me armë zjarri, me ç’rast një anëtar i kësaj familjeje ka marrë plagë nga plumbat, ndërsa një rast tjetër ka ndodhur në “Lagjen e Boshnjakëve”, kur dy serbë kanë sulmuar me thikë një të ri boshnjak, shkruan “Zëri”.
Në lagjen “Kroi i Vitakut”, të premten është sulmuar me armë familja e vëllezërve Barani, Eminit, Esatit dhe Ekremit. Nga ky sulm ka mbetur i plagosur Ekrem Barani, i cili ka marrë plagë në kokë nga plumbat e shkrepur nga kallashnikovi.
Qendra Rajonale e KMDLNJ në Mitrovicë ka reaguar ashpër për këtë rast, duke e cilësuar atë si të qellimshëm e me synim të frikësimit të shqiptarëve të veriut.
“Bandat kriminale në lagjen “Kroi i Vitakut” sulmuan me breshëri plumbash disa shtëpi në “Qendra 1”, me ç’rast plumbat goditen ballkonet, shtëpitë dhe oborret e vëllezërve Emin, Esat dhe Ekrem Barani, ndësa një plumb e goditi në kokë Ekrem (Halim) Baranin, baba i katër fëmijëve, i cili është detyruar ta kërkojë ndihmën e mjekut, në Spitalin Rajonal në jug të Mitrovicës”, thuhet në reagimin e QR të KMDLNJ në Mitrovicë