Në Gjykatën Themelore në Mitrovicë është mbajtur seanca fillestare ndaj nënkryetarit të Listës Serbe, Slavko Simiq, dhe Urosh Vukasinoviq, të cilët akuzohen se nxitën protestuesit që të sulmonin gazetarët shqiptarë gjatë tensioneve në Leposaviq, më 16 qershor të vitit 2023.
Avokatët e palës së dëmtuar, në këtë rast gazetarëve kanë reaguar pas seancës së sotme, duke e cilësuar procesin si spektakël të panevojshëm dhe duke akuzuar prokurorin e çështjes për neglizhencë të thellë, raporton Ekonomia Online.
Ata paralajmëruan se do të iniciojnë procedurë disiplinore ndaj prokurorit, duke theksuar se për një rast të lehtë, është pritur më shumë se dy vjet që të zhvillohet gjykimi.
Avokati Musa Damati, përfaqësues i palës së dëmtuar, tha se seanca e sotme ishte e panevojshme dhe duhej evituar me më shumë përgatitje nga gjykata.
“Sa i përket seancës së sotme unë mendoj që është një spektakël dhe ky spektakël ka mund të evitohet lehtë me disa përgatitje të angazhuara më parë nga ana e gjykatës të cilat është dashur të bëhen në mënyrë të mos dështojë seanca e sotme”, tha ai.

Ndërsa avokati Gazmend Halilaj e quajti situatën një zhgënjim të thellë, duke akuzuar prokurorin për dështim në përmbushjen e obligimeve ligjore.
“Zhgënjim i thellë nga prokuror kur edhe pas një viti e tre muaj nuk kanë qenë të gjendje që të kryejnë obligimin ligjor. Nuk kanë qenë në gjendje që të na pajisin me shkresa as ne si përfaqësues të palës së dëmtuar por edhe palët tjera. Ne premtojmë që do të iniciojmë këtë procedurë disiplinore ndaj prokurorit të çështjes tek kryeprokurori i tij për shkak që për një çështje kaq të lehtë dëshiron një gjykim që kemi pritur tani e më shumë se dy vite. Kjo tregon neglizhencën e thellë të prokurorit të shtetit”, tha ai.
