Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit njofton opinionin se gjatë ditës së sotme është sulmuar fizikisht prokurori i Departamentit të Përgjithshëm në Prokurorinë Themelore në Prizren, Atnor Skoro.
Prokurori Skoro ka përfaqësuar sot në gjykatë një aktakuzë në cilën ka qenë i përfshirë i pandehuri B.R, dhe rreth orës 13:00, duke u kthyer në vendin e tij të punës, afër objektit të Prokurorisë Themelore në Prizren, i dyshuari B.R. e ka sulmuar fizikisht, duke e goditur në kokë, ku pas kryerjes së këtij akti, i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes dhe për momentin është në arrati.
Aktualisht, prokurori Skoro është duke marrë tretman mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit për lëndimet e shkaktuara nga sulmuesi.
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit reagon fuqishëm ndaj këtij akti të kundërligjshëm dhe qëndron pranë prokurorit Skoro dhe çdo prokurori tjetër duke i mbështetur ata në ushtrimin e detyrave të përditshme në përmbushjen e misionit të tyre kushtetues dhe ligjor.
“Të gjithë ata që mendojnë se me akte të tilla do të tentojnë të ndikojnë që prokurorët e shtetit të zmbrapsen nga ndjekja e kryeseve të veprave penale e kanë gabim, sepse prokurorët do të vazhdojnë punën e tyre për të cilën janë betuar dhe për të cilën i obligon Kushtetuta dhe ligjet e Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.