Suma: Vendimi i Supremes është befasues, pa asnjë argument

Prishtinë | 25 Tet 2021 | 18:20 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Supreme ka hedhur poshtë vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa që komuna e Hanit të Elezit të shkojë në rivotim.

Supremja e ka pranuar si të bazuar ankesën e kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi.

“Kolegji i Gjykatës Supreme e ka aprovuar si të bazuar ankesën e kandidatit për kryetar të komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dhe ka anuluar vendimin e PZAP-së, duke e kthyer çështjen në rivendosje” thuhet në vendimin e Supremes, njofton Klankosova.tv.

Me këtë rast ka ardhur edhe reagimi i kandidatit të pavarur për kryetar të Hanit të Elezit Rufki Suma.

Suma në Info Magazine në Klan Kosova tha se vendimi i Supremes nuk ka asnjë bazë edhe asnjë argument.

“Realisht është një vendim befasues. Ne ende nuk e kemi të qartë, një panel e ka marrë një vendim Gjykata Supreme e rrëzon atë vendim, e kthen përsëri në rivendosje pa ndonjë argument dhe pa ndonjë arsyetim në pesë faqe që i përshkruan më së shumti veprimet e PZAP-it”.

“Përndryshe vetëm akuzon se PZAP-i nuk ka pasur argumente të mjaftueshme për të marrë një vendim të tillë. Edhe njëherë po e them. Nuk tregon se në çka është e bazuar, në cilat argumente është i bazuar? kur vet kandidati tregon se i ka vizituar vendvotimet. Dhe me rastin e vizitës së vendvotimeve ajo është ndikim direkt”.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, para disa ditësh kishte anuluar votat për kryetar të Komunës së Hanit të Elezit.

Sipas PZAP-së, zgjedhjet janë anuluar për shkak të minimit të integritetit të zgjedhjeve si rezultat i presionit dhe organizimit me qëllim të përfitimit dhe mbështetjes së votuesve.

Kandidati i PDK-së, Mehmet Ballazhi sipas rezultateve të KQZ-së, për zgjedhjet e 17 tetorit ka marrë me 50.98% të votave.

Të ngjashme