Federata e Futbollit e Kosovës është duke i bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për fillimin e garave të stinorit pranveror.
Në këtë drejtim, FFK tashmë e ka bërë shpërndarjen e topave të unifikuar, të cilët janë të brenduar me logon e saj për të gjitha klubet e BKT Superligës dhe Viva Fresh Ligës së Parë.
“Kësisoj, tashmë për herë të parë të gjitha ndeshjet e elitës dhe ato të kategorisë së parë do të zhvillohen me topin zyrtar të FFK-së, i cili është i cilësisë më të lartë”, njofton FFK.
Garat në stinorin pranveror do të fillojnë me ndeshjet e 1/8 së finales së Kupës së Kosovës më 5 e 6 shkurt, ndërsa BKT Superliga do të rinisë më 12 shkurt, teksa Viva Fresh Liga e Parë më 19 shkurt.