Surroi: 7 vjet u shpenzuan për targa

Prishtinë | 26 Jan 2017 | 20:02 | Nga

Publicisti dhe shkrimtari Veton Surroi thotë se shtatë vjet të dialogut Kosovë-Serbi janë shpenzuar për targat e automjeteve, ndërsa janë anashkaluar çështje të rëndësishme, si të zhdukurit dhe përgjegjësia për të vrarët në luftë.

Surroi ka theksuar se mjafton një “tren rus” që të ndizet ndjenja e pasigurisë e paralajmërimi për dhunë.

Ai i ka bërë komentet gjatë një aktiviteti të organizuar në Ipeshkvinë e Kosovës, ku u përçua Porosia e Papa Françeskut për vitin 2017.

me këtë rast, Surroi foli për Kosovën, vitet e paraluftës dhe pas saj. Ai foli për domosdonë e arritjes së paqes ndërmjet Kosovës e Serbisë.

“Për shtatë vjet u zhvillua një dialog i quajtur i paqes, por një pjesë e qytetarëve nuk jetojnë në paqe… Mjafton një incident si ai i trenit rus, e të ndizet ndjenja e pasigurisë, e paralajmërimit të dhunës”, tha Surroi.

Ai kujtoi se në shtatë vjet të dialogut, kohë e gjatë u harxhua për targat e automjeteve, por as edhe një ditë e vetme, sipas tij, nuk u harxhua për të zhdukurit, për të vrarët në luftë dhe për përgjegjësinë për këto vdekje.

Kancelari i Ipeshkvisë së Kosovës, Don Shan Zefi, që ishte panelist, tha se Papa Françesku ka përkujtuar dy luftërat botërore të shekullit të kaluar që kanë sjellë shkatërrim e vdekje, pasoja që kanë arritur edhe në ditët e sotme me një numër të madh konfliktesh.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme