Surroi i jep sugjerim Qeverisë për trajtim urgjent të pandemisë Covid-19

Prishtinë | 21 Nën 2020 | 12:55 | Nga Ekonomia Online

Publicisti, Veton Surroi, i ka dhënë Qeverisë së Kosovës sugjerime se si të trajtojë pandeminë COVID-19 në mënyrë urgjente.

Surroi, përmes një postimi në Facebook, ka sugjeruar që Qeveria të ndajë mjete buxhetore për blerjen e vaksinës anti-Covid për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Me këtë [Qeveria] do të tregojë se vendi nuk pret të dalë nga pandemia duke u mbështetur vetëm në ndihma ndërkombëtare”, ka shkruar Surroi.

Postimi i plotë i Surroit:

“NJË SUGJERIM QEVERISË SË KOSOVËS PËR TRAJTIM URGJENT:

• të ndajë nga mjetet ekzistuese buxhetore shumën e parave për blerjen e vaksinave anti-Covid PËR TË GJITHË qytetarët e Kosovës. Me këtë do të tregojë se vendi nuk pret të dalë nga pandemia duke u mbështetur vetëm në ndihma ndërkombëtare.

• Që me udhëzim të profesionistëve të shëndetit publik të përcaktojë metodologjinë dhe afatin për hartimin e listës së qytetarëve të Kosovës që do ta marrin atë pjesë të vaksinave që do t’i sigurojë në formë solidare Bashkimi Evropian e që do të arrijnë të parat (20 për qind, sipas gjendjes së tanishme). Me këtë do të fillojë përgatitja për një fazë e vaksinimit që mund të vijë fare lehtë brenda dy muajsh e ajo nuk mund ta gjejë vendin të papërgatitur, siç i ndodhë zakonisht.

• Që lista e marrësve të parë të vaksinës të jetë e qartë dhe transparente dhe që në të të përfshihet personeli mjekësor , të punësuarit në arsim, policia, personeli i sektoreve të tjera të emergjencës e sigurisë. Provimi do të kalohet nëse në muajin dhjetor paralajmërohen nëpërmjet të telefonit, emailit apo me letër të gjithë ata qytetarë nga kjo listë e parë e marrësve të vaksinës për vendin dhe kohën e përafërt kur pritet ta marrin vaksinën”, ka shkruar Surroi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme