Publicisti e shkrimtari Veton Surroi, ka komentuar pikën e marrëveshjes në mes të PAN-it dhe AKR-së, në të cilën parashihet se Behgjet Pacolli të bëhet president i Kosovës, pasi që mandatin në krye të shtetit ta përfundojë Hashim Thaçi.
E ka krahasuar me një thënie të ish-diktatorit rus, Stalin.
“PAN dhe AKR-ja dakordohen që posti i presidentit të Kosovës t’i takojë AKR-së në mandatin e ardhshëm, pavarësisht mënyrës së votimit, qoftë përmes votimit në Parlament, qoftë përmes votimit të drejtpërdrejt nga populli”, citon Surroi pikën e marrëveshjes PAN – AKR.
“Pra , PAN-i dhe AKR-ja u pajtuan që AKR të ketë presidentin e Kosovës, sido që të votohet. Në Parlamentin e Kosovës të gjithë deputetët, e LDK-së, Vetëvendosjes, Lista serbe, grupet minoritare – që të gjithë – obligohen ta zgjedhin kandidatin e AKR-së. Nëse organizohen zgjedhjet presidenciale , atëherë qytetarët e Kosovës obligohen, sipas kësaj marrëveshje, të votojnë për kandidatin e AKR-së”, ka komentuar Surroi.
Surroi e ka lënë edhe në origjinal thënien e Stalinit në rusisht: “Достаточно, чтобы люди знали, что были выборы. Люди, которые отдают голоса, ничего не решают. Люди, которые подсчитывают голоса, решают все”, për ta përkthyer në: “Mjafton që njerëzit të dijnë se ka pasur zgjedhje. Njerëzit që japin votën nuk vendosin gjë. Njerëzit që i numërojnë votat vendosin për çdo gjë”, atë që e kishte thënë Josif Visarionovich Dzhugashvilli, i njohur si Stalin.
Hashim Thaçi ishte zgjedhur president i vendit në fund të muajit shkurt të vitit 2016, me votat e partisë së tij, PDK-së dhe të LDK-së, që e kishin po ashtu të shkruar në marrëveshjen e koalicionit zgjedhjen e Thaçit president, kur mandati t’i përfundonte Atifete Jahjagës.
Mandati i presidentit është pesëvjeçar, që i bie që mandati i Thaçit përfundon më 2021.