Shtatë punonjës janë suspenduar për rastin e dhimbshëm në Spitalin e Pejës, aty ku një foshnjë e pajetë është copëtuar.
Lajmin për suspendimin e tyre e ka konfirmuar edhe vetë Spitali i Përgjithshëm në Pejë.
“Spitalit të Përgjithshëm në Pejë me qëllimin që të bëjë hetime të papenguara dhe të detajuara për këtë rast deri më tani ka suspenduar 7 punonjës të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë dhe është duke zhvilluar procedurat disiplinore me qëllim të zbardhjes së tërë rastit”, thuhet mes tjerash në komunikatë.
Rasti tashmë është konfirmuar edhe nga Prokuroria Themelore e Pejës. Zëdhënësi Shkodran Nikçi ka konfirmuar se rasti ka ndodhur javën e kaluar, teksa hetimet janë duke vazhduar.
“Rasti ka ndodhur javën e kaluar. Prokurori i krimeve të rënda ka dal në vendin e ngjarjes, rasti është në fazën e hetimit. Po i presim edhe raportet nga Inspektorati Shëndetësor”, tha Nikçi.
Fillimisht për rastin raportoi Indeksonline, që kishte siguruar edhe rrëfimin e babait.
Ky i fundit fillimisht kishte hetuar një refuzim të stafit të spitalit për t’ia dorëzuar trupin e foshnjes, dhe dyshimet u shtuan kur pa copëzat e trupit.