Suspendohet një polic për zbulim të informacionit konfidencial

Prishtinë | 03 Tet 2024 | 20:44 | Nga Ekonomia Online

Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) i kanë rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin për një zyrtar policor në Drejtorinë Rajonale të Ferizajt respektivisht stacionit policor të Kaçanikut me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Zbulim i paautorizuar i informacionit konfidencial”.

Ky rekomandim është bërë në përputhje me parimet ligjore dhe transparencës, duke marrë parasysh rëndësinë e ruajtjes së standardeve më të larta etike dhe profesionale në Policinë e Kosovës.

Informacionet e para lidhur me këtë rast hetuesit e IPK-së i kishin pranuar bazuar në denoncimin e një qytetari.

Bazuar në veprimet hetimore të ndërmarra deri tani nga hetuesit e IPK-së, dyshohet se zyrtari policor ka ndarë informacione të natyrës konfidenciale pa autorizimin përkatës, duke ndërhyrë në sistemin e policisë (bazën e të dhënave) dhe duke përdorur kanale private të komunikimit për të përçuar informacione që bien ndesh me rregullat e privatësisë dhe sigurisë së informacionit të policisë. Kjo sjellje përbën një shkelje serioze të detyrave zyrtare dhe cenon integritetin dhe besimin në institucionin policor.

Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave të këtij rasti.

Të ngjashme