Kryetari i Malishevës, Ragip Begaj, sot i ka pritur në takim pune, ushtruesin e detyrës së Ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla dhe ministren e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Emilija Rexhepi, të cilët i ka njoftuar me situatën me COVID-19 në Malishevë.
“Në Malishevë, aktualisht janë 44 persona të prekur me COVID-19, ndërsa 7 prej tyre janë shëruar, po ashtu ju njoftoj se furnizimi nga ministria përkatëse për QKMF-në, ka qenë shumë modeste, por pavarësisht kësaj ne jemi duke e menaxhuar situatën dhe jemi të angazhuar 24 orë pa ndërpre”, ka thënë Begaj.
Begaj gjithashtu i njoftoi edhe për përkrahjen e familjeve në nevojë, ku deri më tani janë mbështetur rreth 900 familje.
Ministri në detyrë i MPBAP, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se realisht furnizimi me mjete mbrojtëse është i vështirë në këtë situatë, jo për shkak të financave, por të shkak se të gjitha shtetet i kanë kufizuar lëvizjet dhe transporti është më i vështirësuar.
“Jemi të angazhuar dhe po punojmë pa ndërprerë për menaxhimin sa më të mirë të kësaj situate, por bazuar në situatën e krijuar, duhet të shtrëngohen masat edhe më shumë, në mënyrë që të parandalohet përhapja e këtij virusi. Gjërat mund të përkeqësohen, prandaj na duhet më shumë solidaritet dhe bashkëpunim, jo vetëm në mes të institucioneve, por edhe me qytetarët, në mënyrë që të mbrohemi”, tha Sveçla.
Ndërsa ministrja e MAPL-së, Emilija Rexhepi, tha se “MAPL ka siguruar edhe një fond shtesë për situatën pas pandemisë për komunat e vendit, në mënyrë që të ndihmohen komunat pas përfundimit të kësaj pandemie”.