Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, thotë se qytetarët e komunitetit serb ende vazhdojnë të ballafaqohen me kërcënime e presion nga strukturat kriminale të dirigjuara nga Beogradi.
Pasi të dielën mbahen zgjedhjet në 4 komunat veriore, Sveçla u ka bërë thirrje qytetarëve të marrin pjesë në votim, me ç’rast ka deklaruar se në këtë mënyrë presidenti Vuçiq, do e marrë përgjigjen e merituar nga qytetarët.
“Qytetarët tanë të komunitetit serb vazhdojnë të ballafaqohen me kërcënime e presion nga strukturat ilegale e kriminale të dirigjuara nga Beogradi. Nesër do të mbahet procesi zgjedhor në 4 komunat veriore dhe përkundër frikës dhe pasigurisë që tentojnë të përhapin qarqe të caktuara e të orkestruara, ju bëj thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në votim. Nesër është mundësia që përmes votës së qytetarëve, grupet që kanë udhëhequr nën dirigjimin e Vuçiq të marrin përgjigjen e merituar dhe qytetarët të çlirohen përfundimisht nga ta. Serbia po vijon me përndjekje e arrestime të serbëve të cilët akuzohen se janë angazhuar në institucionet tona. Pasi nën presion i’u kanë kërkuar dorëheqjet nga institucionet tona, tani edhe i ndëshkojnë përmes arrestimeve e i kërcënojnë përmes formave të ndryshme”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Andaj, Sveçla ka shkruar se qëllimet e Serbisë për destabilizimin e Kosovës më së shumti kanë rënduar mbi qytetarët e komunitetit serb.
“Qëllimet e Serbisë për destabilizimin e vendit tonë më së shumti kanë rënduar mbi qytetarët e komunitetit serb të cilët në vazhdimësi janë përdorur si mjet për arritjen e qëllimeve të tyre. Ata janë kërcënuar në vazhdimësi, janë sulmuar, veturat dhe pronat e tyre janë djegur sapo i kanë dorëzuar targat ilegale të Serbisë, bizneset e tyre janë shkatërruar çdoherë që pronarët nuk kanë pranuar të jenë pjesë e lojërave të tyre. Zërat ndryshe janë ndalur padrejtësisht e me orë të tëra nga policia dhe shërbimi sekret i Serbisë ndërsa tani kur jemi në proces zgjedhor, shumë kandidatë janë penguar e janë dorëhequr për shkak të presioneve e sulmeve të shumta”, thuhet tutje në postimin e Sveçlës.
Më 23 prill mbahen zgjedhjet në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviqi.