Sveçla: Graçanica u pastrua më shumë etnikisht nga banorët shqiptarë

| 10 Tet 2018 | 12:13 | Nga

Deputeti i Vetëvendosjes, Xhelal Sveçla, ka thënë se ndryshimi i vijës kufitare mes Komunës së Graçanicës dhe Komunës së Fushë Kosovës është një proces i jashtëligjshëm.

Sveçla në një konferencë për media ditën e sotme ka ngritur disa pikëpyetje për këtë ndryshim  – fshati Uglar dhe Zona Kadastrale e Prejocit i kanë kaluar komunës së Fushë Kosovës, nga ajo e Graçanicës.

“Pyetja thelbësore që lind këtu është çka i shtyen drejtuesit e komunës së Graçanicës t’i japin territor një komune fqinje që prej tyre konsiderohet si komunë me shumicë shqiptare”.

“Pse një komunë pranon të zvogëlohet? Pas leximit të vendimit për këtë ndryshim të kufijve ndërkomunal është cilat janë shërbimet dhe të drejtat që qytetarët që banojnë në këto dy zona, nuk i marrin në Graçanicë por do t’i marrin në komunën e Fushë Kosovës”.

“Pse këtyre qytetarëve që rastis të jenë më shumicë dërrmuese të kombësisë shqiptare nuk i shërben komuna e Graçanicës”.

“Pyetja themelore pse ky ndryshim kufijsh, pse realizohet ndryshim kufijsh mes komunës së Fushë Kosovës dhe Graçanicës”.

Sveçla ka ngritur dyshime se a është ky ndryshim një provë për të ndryshuar territoret brenda Kosovës me ndikim të drejtpërdrejtë në përbërjen etnike, njofton Klan Kosova.

“A është kjo një test për ndërrimet, ndryshimin, korrigjimin apo shkëmbimin e territoreve ku me efekt kanë përbërjen etnike të këtyre komunave”.

“Këto dy vendime janë të paligjshme, kundërkushtetuese dhe mbi të gjitha të padrejta”.

“Çfarëdo tentimi për ndërrim të përbërjeve etnike apo ndryshime territoriale që bëhen në kundërshtim me interesat e popullit të Kosovës, Ligjet dhe Kushtetutën, do të duhej të jetë e papranueshme si për institucionet e Kosovës po ashtu edhe për qytetarët e Kosovës”.

“Pse kjo pajtueshmëri e institucioneve të Kosovës dhe kjo qasje drejt shkeljeve të ligjeve të Kosovës vetëm e vetëm për disa interesa, qoftë grupeve të ndryshme të interesit e për më keq edhe për shkak të interesave të Serbisë për krijimin e një tabloje të re të ndarjes brenda për brenda Kosovës”.

“Ne në përfundim të këtij procesi të jashtëligjshëm, do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese në kundërshtim të kësaj”.

“Këto dy pjesë i janë dhënë komunës së Fushë Kosovës për shkak se përbërja etnike e këtyre Zonave Kadastrale, në njërën është 100 % shqiptare dhe në zonën tjetër kadastrale shumica dërmuese e banorëve janë shqiptarë që do të thotë se me këtë ndryshim, komuna e Graçanicës pastrohet edhe më shumë etnikisht nga banorët shqiptarë”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme