Ministri i Punëve të Brendshme i Kosobës, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se pas paralajmërimit të grupeve ekstremiste serbe për protesta sot pas orës 18:00, janë vërejtur grupe ekstremistësh të maskuar të cilët në prani të policisë së Serbisë, brenda territorit të Serbisë, kanë ndaluar veturat dhe legjitimuar udhëtarët.
“Para pak çastesh, një familjes e cila po udhëtonte për në Gjermani, i është pamundësuar vazhdimi i udhëtimit dhe është kthyer prapa me forcë”, ka shkruar Sveçla, në Facebook.
“Kjo po ndodhë para syve të policisë së Serbisë, fakt ky që e bën atë bashkëfajtore”, ka theksuar ministri kosovar.
“Këto akte fashiste ku serbët lejohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë kurse shqiptarët pengohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë, janë absolutisht të papranueshme për ne”.
Prandaj, deri në stabilizimin e qarkullimit normal, të papengueshëm dhe të sigurt për të gjithë udhëtarët, pika kufitare në Bërnjak mbyllet për qarkullim, ka njoftuar ministri i MPB-së.