Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, thotë se barrikadat ne veri kanë humbur kuptimin.
Sveçla, në një konferencë shtypi, tha se arsyeja e vendosjes së këtyre barrikadave është arrestimi i ish-policit Dejan Pantiq, derisa shtoi se ka spekulime për shëndetin dhe trajtimin e tij.
“Gjendja e tij shëndetësore është e mirë dhe po merr trajtimin e duhur. Ne kemi bërë kërkesën te partnerët që ai të transferohet në qendrat e paraburgimit nga stacioni policor. Largimi i barrikadave do ta mundësonte transferimin e tij lehtë dhe sigurt”.
Sveçla ka thënë se pritjes për t’i tërhequr barrikadat nga KFOR-i po u vjen fundi.
“Presim që sa më parë të veprohet nga KFOR-i. U bënë 13 ditë dhe situata mbetet e njëjtë e madje është rënduar. Nëse kjo nuk ndodh, kemi kapacitete për ta bërë vet”.
Ministri i Brendshëm thotë se propaganda serbe ka rënduar situatën në atë pjesë të Kosovës.
“Një e pavërtetë që po përdoret është se Policia e Kosovës ka lista për të arrestuar persona të caktuar. Ne nuk kemi lista. Lista ka pasur Serbia e cila e ka vrarë edhe Oliver Ivanoviqin”.
Sveçla thotë se Policia do ta zbatojë ligjin por ka kërkuar mirëkuptim nga qytetarët.
“Gjendja e zyrtarëve policorë në Jarinjë që kanë pasur sëmundje kronike janë tërhequr, derisa të tjerët mbetet aty në krye të detyrës”, ka deklaruar tutje Sveçla.
Tutje Sveçla ka thënë se Policia e Kosovës po mbledh të gjitha informacionet për Milan Radojçiq.
Sipas tij Radojçiq, herët ose vonë do të bie në duart e Policisë së Kosovës e pastaj do të përcillet deri tek drejtësia për t’u ballafaquar me të gjitha veprat kriminale me të cilat ngarkohet.
“Ai është subjekt i përndjekjes së institucioneve të Republikës se Kosovës dhe herët a vonë do të bie në duart e policisë e do ta përcjellin deri të drejtësia për t’u ballafaquar me të gjitha veprat kriminale me të cilat ngarkohet”.