Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka lavdëruar Policinë e Kosovës për një operacion të suksesshëm që rezultoi me sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme substancash narkotike.
Në një postim në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Sveçla njoftoi se operacioni i Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë çoi në konfiskimin e mbi 6 kilogramëve heroinë dhe rreth 39 gramëve kokainë, të cilat kapin një vlerë prej mbi 150,000 euro.
Po ashtu, gjatë operacionit u arrestuan dy persona të dyshuar për përfshirje në këtë aktivitet të paligjshëm.
Sveçla theksoi rëndësinë e operacionit, duke vënë në dukje se, përveçse goditi aktivitetin kriminal, ai mbrojti edhe jetën e të rinjve që mund të ishin të rrezikuar nga përdorimi i këtyre substancave.
“Përveç suksesit në goditjen e këtij aktiviteti kriminal është mbrojtur edhe jeta e të rinjve tanë që ishin potencial i përdorimit të tyre”.
Ai nënvizoi përkushtimin e vazhdueshëm të institucioneve në luftën kundër krimit të organizuar, duke siguruar se do të vazhdojnë me hetime dhe aksione të tjera për të mbrojtur shoqërinë nga veprimtaritë që cenojnë sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve.