Sveçla: Po bashkëpunojmë me KFOR-in, dy komunat në karantinë me vendim të MSH-së

Prishtinë | 04 Pri 2020 | 18:08 | Nga Ekonomia Online

Ushtruesi i Detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se Mitrovica e Veriut dhe e Zveçanit janë vendosur në karantinë me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë dhe me rekomandim të ekspertëve shëndetësorë.

Reagimi i Sveçlës erdhi pasi masat e para në Veri u morën si pasojë e vendimeve të autoriteteve lokale dhe atyre të Serbisë.

“Komuna veriore e Mitrovicës dhe komuna e Zveçanit janë vendosur në karantinë për shkak të 16 rasteve të testuara pozitivisht me Covid-19. Sipas vlerësimeve dhe kërkesave të ekspertëve shëndetësorë, Ministri i Shëndetësisë, z. Arben Vitia, në bashkërendim me të gjitha Institucionet ka ndërmarrë vendimet dhe masat e duhura gjithnjë. Ai është në kontakt dhe komunikim të vazhdueshëm me dy kryetarët e këtyre dy komunave dhe autoritetet përgjegjëse. Unë, si ushtrues i detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, dhe Drejtori i Policisë së Kosovës, z. Rashit Qalaj, jemi në koordinim të plotë me Ministrin Vitia. Po ashtu bashkëpunimi me KFOR-in është permanent dhe tejet i mirë. Të gjitha institucionet përgjegjëse po përcjellin situatën pandërprerë në mënyrë që reagimi i tyre të jetë konform gjendjes”, ka njoftuar Sveçla.

Ai ka bërë thirrje të respektohen masat e kërkuara dhe të mos përhapet panik.

“Shteti ynë ndodhet para sfidës me të cilën shumë vende në mbarë globin po ballafaqohen. Mbrojtja e shëndetit dhe jetës së qytetarëve ndodhet mbi të gjitha. Që ne të jemi sa më të sukseshëm në këtë qëllim ne ftojmë të gjithë të kontribuojmë në tejkalimin e kësaj situate duke përsëritur apelet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik e jo duke shpërndarë dezinformata apo informata të paverifikuara”, ka shtuar ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme