Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se ka pritur sot delegacionin nga Republika e Çekisë.
“Kisha kënaqësinë të mirëpres sot në Ministrinë e Punëve të Brendshme delegacionin nga Republika e Çekisë, i prirë nga z. Tomáš Czernin, Nënkryetar i Senatit të Parlamentit dhe z. Pavel Fischer, Kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme, Siguri dhe Mbrojtje.”
Sveçla ka falënderuar Republikën e Çekisë për mbështjejen e Kosovës.
Ai në një postim në Facebook ka shkruar se kanë diskutuar edhe “për sfidat e vazhdueshme të shkaktuara nga Serbia e cila vazhdon të ketë aspirata territoriale ndaj vendit tonë”.
Në fjalën time falënderova Republikën e Çekisë për mbështetjen e vazhdueshme për Republikën e Kosovës. Prezantova angazhimet tre vjeçare të Qeverisë sonë veçanërisht në fushën e sigurisë publike, luftën ndaj krimit të organizuar, korrupsionit, kontrabandës, trafiqeve të ndryshme dhe terrorizmit. Diskutuam për situatën aktuale të sigurisë dhe për sfidat e vazhdueshme të shkaktuara nga Serbia e cila vazhdon të ketë aspirata territoriale ndaj vendit tonë. E falënderova delegacionin çek për reagimin publik në dënimin e sulmit terrorist të 24 shtatorit dhe zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij sulmi.”
Sveçla ka shkruar se të dy palët shprehën gatishmëri për thellim të bashkëpunimit në fushën e sigurisë.
“Z. Fischer në emër të delegacionit të Republikës së Çekisë falënderoi për mikpritjen dhe përgëzoi për angazhimin e vazhdueshëm që pavarësisht sfidave të njëpasnjëshme kemi arritur të kemi suksese në prioritetet tona. Të dyja palët shprehëm gatishmërinë e plotë për thellim të bashkëpunimit në fushën e sigurisë.”