Sveçla shëtitet mbi urën e Ibrit: Tashmë kjo pjesë frymon më ndryshe

Prishtinë | 22 Pri 2023 | 21:35 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se pjesa veriore e Kosovës është duke frymuar ndryshe duke pretenduar se ndikimi i Listës Serbe ka rënë të qytetarët serbë.

Ai ka postuar fotografi mbi urën e Ibrit, që ndan qytetin në dy pjesë, ndërsa në prapavijë shihen flamuj të Serbisë.

Sveçla shihet i shoqëruar nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja dhe ministri i Bujqësisë, Faton Peci, duke u përshëndetur me qytetarë në pjesën veriore të Kosovës,.

Sveçla për katër komunat veriore të Kosovës ka thënë se “tashmë kjo pjesë frymon më ndryshe”.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në votimet e zgjedhjeve në veri të dielën.

Me anë të një postimi në Facebook, Sveçla ka thënë se e nesërmja, dita e zgjedhjeve, paraqet mundësinë që grupet e dirigjuara nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, të marrin përgjigjen e tyre dhe jo vetëm.

“Nesër do të mbahet procesi zgjedhor në 4 komunat veriore dhe përkundër frikës dhe pasigurisë që tentojnë të përhapin qarqe të caktuara e të orkestruara, ju bëj thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në votim. Nesër është mundësia që përmes votës së qytetarëve, grupet që kanë udhëhequr nën dirigjimin e Vuçiq të marrin përgjigjen e merituar dhe qytetarët të çlirohen përfundimisht nga ta”, ka shkruar Sveçla.

Gjersa ka përmendur kërcënimet e deritanishme ndaj komunitetit serb, ky i fundit ka thënë se si shkak i ndikimit nga shteti serb, shumë kandidatë kanë dhënë dorëheqje.

Të ngjashme