Komisioni për Integrim Evropian nuk e ka votuar Projektligjin për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë, me amendamentet e Komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së, raporton Ekonomia Online.
Mos kalimin e tij e mundësuan deputetët opozitar nga LDK-ja, Armend Zemaj dhe ata nga VV-ja Ismajl Kurteshi e Fatmire Kollqaku, kurse Visar Ymeri nga PSD-ja ka abstenuar. Ndërsa, Projektligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve mori miratimin e komisionit.
Kryetarja e komisionit Blerta Deliu-Kodra tha se Projektligji për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë nuk është në rregull me ndryshimet që janë bërë në disa amendamente. Ajo kërkoi që të riformulohen disa nga amendamentet e Projektligjit.
Deliu-Kodra tha se janë përmbushur gjitha kushtet për liberalizim të vizave dhe se këtë e ka konfirmuar edhe BE-ja dhe këto projektligje janë vetëm për shkak të agjendës evropiane.
“Projektligjet nuk janë kriter sepse Kosova ka përmbush gjitha kriteret, 95 kriteret janë përmbush. Nuk po shoh mundësi që projektligji të kaloj dhe kërkoj mirëkuptim që në këtë fazë ne ta kryejmë një obligim për shkak te agjendës së reformave evropiane qe e ka kërkuar edhe ambasadorja Apostolova, janë 4 projektligje”.
“Nuk po shoh mundësi që projektligji të kaloj dhe kërkoj mirëkuptim që në këtë fazë ne ta kryejmë një obligim për shkak te agjendës së reformave evropiane qe e ka kërkuar edhe ambasadorja Apostolova, janë 4 projektligje qe janë kërkuar si kërkesë e komisionit evropian për të u përafrua me agjendën e reformave evropiane. Nëse ka vullnet komisioni kërkoj mirëkuptim në këtë fazë ta miratojmë këtë projektligj, përderisa komisioni për legjislacion e ka mbaru punën e saj kërkoj që edhe ne te mos jemi bllokues në këtë”, tha ajo.
Armend Zemaj, nga LDK-ja ishte që nga fillimi kundër për këtë projektligj. Ai tha se komisioni për Legjislacion nuk ka arritur të ndryshoj as përmbajtjen dhe sipas tij, ligji nuk është i zbatueshëm në praktikë.
“Ky ligj nuk i ka plotësuar pritjet tona që kanë të bëjnë me zgjerim të kompetencave që janë në konfiskim të pasurisë. Në këtë ligj tentohen të avancohen disa kompetenca, por thelbi i kërkesës tonë mbi të gjitha që konfiskimi i pasurisë së paligjshme të jetë e sanksionuar si pjesë e legjislacionit tonë po mbetet e zbraztë dhe personalisht do votoj kundër”, tha ai.
“Nuk do të thotë që ky ligj është në agjendën evropiane, por tentimi të shkojmë hap pas hapi duke avancuar fushën e konfiskimit po e neglizhon problemin kryesor fitimin e pasurisë së paligjshme. Nuk mendoj se mund të bëhem pjesë vetëm me ndryshime kozmetike të kemi rritje të efikasitetit”.
Ismail Kurteshi, nga VV-ja kërkoi të i kthehet projektligji Qeverisë pasi që sipas tij, nuk ka zgjerim të kompetencave për konfiskim të pasurisë. Ai tha se pozita sot në ketë komision po e akuzon opozitën për bllokim.
“Ky ligj është kërkuar me ardhur në Kuvend ka ardhur si rezultat i presionit të jashtëm dhe në këtë ligj janë bërë ndryshime kozmetike, në fakt nuk ka zgjerim të kompetencave, por formalitete që ligjin e bëjnë jofunksional dhe nuk konfiskohet pasuria që është fituar në mënyrë të padrejtë, si të tillë nuk e përkrahi dhe ligji kërkoj të i kthehet Qeverisë dhe të bëhet një ligj i mirëfilltë”, tha Kurteshi.
Edhe Fatmire Kollçaku, nga VV-ja tha se ky projektligj është njëri ndër më të rëndësishme dhe si i tillë nuk është në rregull.
“Është njëri ndër ligjet kryesore, megjithatë ne kur nuk kemi arritur me e ndryshu në Kuvend, mendoj se duhet të i kthehet Qeverisë që ta na sjell një ligj të kompletuar dhe pasi te bëhet ndryshim plotësimi ne do ta votojmë dhe unë votoj kundër”, tha ajo.
Zenun Pajaziti, nga PDK-ja tha se projektligjin mundemi me ia kthyer në cilëndo kohë Qeverisë, por ai e sheh të udhës të i jepet drita jeshile në mënyrë që të hynë në agjendën evropiane.
“Mendoj se duhet me i dhënë drite jeshile, nuk mendoj se nëse e kthejmë kanë me pru një ligj të përkryer. Kompetencat tona brenda në Kuvend na mundësojnë me pas debat dhe me procedura me ndryshuar projektligjin, ne jemi deputet duhet të marrim përgjegjësitë tona, duhet të japim dritën jeshile”, tha Pajaziti.
Visar Ymeri, nga PSD-ja, ka abstenuar me arsyetimin se ky projektligj është në përputhje me direktivat e BE-së, por nuk do të krijojë kompetencat e duhura që në Kosovë të luftohet krimi dhe korrupsioni.
“Nuk mendoj se Kosovë mund të jetë e krahasueshme me vendet e BE-së dhe masat e ngjashëm me vendet e BE-së nuk krijojnë rezultatin e duhur. Substancialisht ligji nuk u përgjigjet nevojave që ka Kosova ky ligj nuk e mundëson as për së afërmi ndërtimin e një ligji kundër krimit dhe korrupsionit”, tha Ymeri.
Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi tha se nuk është mirë që projektligjet t’i kthehen Qeverisë, pasi që sipas BE-së janë plotësuar të gjitha kushtet për liberalizim të vizave, por për arsye politike po hezitojnë dhe kërkojnë kushte shtesë.
“Nga zyra e BE-së u kërkuar një pako e ligjeve me urgjencë ne i kemi humb hapat që sivjet te kemi apo është politizuar skajshëm çështja e liberalizimit të vizave dhe për arsye politike BE-ja hezitojnë dhe kërkojnë kushte shtesë edhe pse kanë thënë se Kosova ka plotësuar kushtet. Nuk është në rregull të i kthehet Qeverisë dhe të vonohet procesi i liberalizimit të vizave, me e kthyer i bie që është procesi i liberalizimit të vonohet”, tha ajo.
Për këto Projektligje, ishte thirrur edhe seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, nga kryeministri Ramush Haradinaj, por që u mbyll nga kryesuesi Xhavit Haliti pasi deputetët theksuan se për leximin e dytë të projektligjeve kryeministri nuk mund të thirr seancë të jashtëzakonshme.