Syla: Mjekët kanë besuar në teori konspirative, e kanë pritur vaksinën ‘Pfizer’

Prishtinë | 11 Maj 2021 | 15:56 | Nga Ekonomia Online

Sot në sallën ‘1 tetori’ në Prishtinë ka vazhduar vaksinimi i stafit mjekësor të Kosovës me vaksinën ‘Pfizer’. Vetëm gjatë ditës së sotme është raportuar se janë vaksinuar mbi 200 mjekë me vaksinën anti-Covid19.

Por, edhe pse Kosova është e fundit në rajon sa i përket furnizimit me vaksina, ka pasur edhe raste kur mjekët kanë hezituar të vaksinohen me vaksinat e kontigjentit të parë që kanë ardhur në Kosovë, të prodhuara nga ‘AstraZeneca’.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar për lajmi.net edhe kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla.

“Ka teori të konspiracionit që dikush mund të bie pre e tyre, ka pasur prej atyre që e kanë pritë Pfizer-in, por kryesisht shumica që nuk kanë dashtë me e marrë janë arsyetu sepse duhet ta dini se kemi qenë në një fazë që shumica e kanë kaluar Covid-in dhe nuk lejohet së paku 3 muaj ditë përpara me e marrë dhe shumica prej tyre janë deklaruar se e kanë pasur Covid-in dhe kjo ka qenë e tillë. Ka pasur edhe individë të tillë që kanë menduar se Pfizer-i ka qenë më e mirë por kryesisht është kjo që po e them”, ka thënë Syla.

Tutje, ai ka thënë se deri më tani nuk ka pasur ndonjë shqetësim nga stafi mjekësor i vaksinuar me vaksinën anti-Covid, pa marrë parasysh kompaninë prodhuese të kësaj vaksine.

“Nuk ka pasur shqetësime kanë kaluar shumë mirë. Ne kemi qenë të parët që e kemi marrë vaksinën së pari nga kontingjenti në Kukës por edhe në kosovë, është normale si çdo vaksinë dhe nuk ka pasur ndonjë komplikim”, ka deklaruar Syla.

Për hezitimin e stafit mjekësor për tu vaksinuar me Astra Zeneca kishte reaguar edhe mikrobiologu Lul Raka, i cili pasi ishte vaksinuar me vaksinën anti-Covid kishte deklaruar se mjekët që hezitojnë të vaksinohen ‘duhet ta lënë mantelin e bardhë dhe të kërkojnë profesion tjetër’.

Kujtojmë, se vaksina anti-Covid-19 preferohet të merret rreth 5 muaj pas infeksionit me këtë virus.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme