Ish-konsulli i Përgjithshëm në Konsullatën e Kosovës në Kanada, Donat Syla, ka thënë se veprimet e qeverisë së Kosovës në veri, ku u mbyllën nëntë degë të Postës së Serbisë pa koordinim me aleatët, janë veprime të rrezikshme për vendin, raporton Ekonomia Online.
Syla ka thënë se kjo shihet nga reagimet të cilat i ka bërë Ambasada e ShBA-së si dhe ambasadat e shteteve të BE-së në Kosovë, të cilat janë shprehur thellësisht të zhgënjyera dhe i kanë cilësuar veprimet e autoriteteve kosovare si “veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara” me ta.
Ai ka theksuar se vendi është në një situatë shumë fragjile dhe se qeveria me këto veprime, jonormalitetin është duke e shndërruar në një lloj normaliteti.
“Reagimi i Ambasadës Amerikane, reagimi i Ambasadës Gjermane, reagimet në mesnatë pothuajse, të shqetësuar për veprimet e Qeverise tregojnë shumë se kemi të bëjmë me reagime të aleatëve tanë të cilët janë edhe sponsoret kryesorë të pavarësisë së Kosovës të cilët shprehin në mënyrë shumë të qartë dhe eksplicite papajtueshmërinë e tyre me veprimet e Qeverisë”.
“Marrë parasysh specifikat në të cilat ndodhet Kosova, situatën fragjile në të cilën jemi dhe gjitha zhvillimet globale të cilat mund ta marrin vëmendjen e aleatëve tanë, ne jemi duke bërë veprime të një anshme dhe shumë të rrezikshme, mirëpo fatkeqësisht në këtë vend, me qeverisjen e kryeministrit Kurti konsideroj që jonormaliteti është shndërruar në një lloj normaliteti brenda këtij inkubatori në të cilin ne po jetojmë dhe jemi në një situatë jashtëzakonisht të rrezikshme”, ka thënë ai.
Syla ka thënë se të gjitha veprimet e qeverisë së Kosovës të cilat bien ndesh me instruksionet e ShBA-së janë jashtëzakonisht të rrezikshme dhe me pasoja për të ardhmen e vendit.
“Konsideroj që pasojat jemi duke i parë çdo ditë e më shumë, jemi i vetmi vend i cili jemi duke u përpjekur që të shpikim diçka të re në raportet ndërmjet shteteve, sepse jemi i vetmi vend i cili nuk kemi aleatë. Kush janë aleatet tanë? Janë ata që e ka shliruar Kosovën, e kanë sponsorizuar shpalljen e pavarësisë se Kosovës. Të gjitha veprimet e qeverisë së Kosovës të cilat bien ndesh me instruksionet që marrim në mënyrë të veçantë nga ShBA-të për mua janë jashtëzakonisht të rrezikshme dhe jashtëzakonisht me pasoja për të ardhmen e vendit”, ka thënë.
Syla është shprehur se Kurtit tani i janë shpërfaqur edhe probleme të brendshme, siç i ka quajtuar ai, duke e përmendur edhe rastin me presidenten Vjosa Osmani, që sipas tij, Kurti ka problem të ndërtojë raporte me këdo që nuk pajtohet me idetë edhe politikat e tij.
“Unë nuk mbaj mend as një qeveri që nga pas lufta e deri më sot të këtë pasur këso qasje totalisht përjashtuese ndaj aleatëve të Kosovës siç është duke bërë kryeministri aktual Kurti. Tash janë shpërfaq edhe problemet e brendshme sepse këtu kemi një problem të thellë, Kurti ka problem të ndërtojë raporte me këdo që nuk i suburdinohet ideve dhe politikave të tij. Plasaritja mes bartësve kryesor të institucioneve ka ndodhur shumë më herët mirëpo tash po shpërfaqen për opinionin të gjitha përqarjet që kanë ndodhur mes tyre. Deklarimi i Kurtit në konferencën e përbashkët më homologun e tij në Shkup duke relativizuar gjithë shqetësimin që e kishte artikuluar presidentja për keqtrajtimin që i është bërë në aeroportin e Shkupit, është për keqardhje”, ka thënë ai për EO.