Syla – Selimit: Mbështetësit e VV-së ia kanë përkeqësuar shëndetin Shpetim Agushollit me sharje në rrjete sociale

Prishtinë | 24 Kor 2020 | 17:35 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i AAK-së, Gazmend Syla, e ka parë me dyshim përgaditjen e Qeverisë së Kosovës për t’u përballur me Serbinë në procesin negociator që pritet të rifillojë së shpejti. Syla ka pyetur nëse Qeveria ka statistika të sakta mbi viktimat e shkaktuara në luftë.

“A e din shteti jonë, institucionet tona, sa është numri i të vrarëve, për shkak se në këtë rezolutë thuhet se janë 12 mijë të vrarë. A janë rrafsh 12 mijë, a janë 11 mije diçka apo mbi 12 mijë? Thuhet se janë të vrarë 1,500 fëmijë. A janë rrafsh 1,500 fëmijë të vrarë?”, ka pyetur Syla

Kështu shihet brishtësia e shtetit të Kosovës, ka thënë ai.

“A e dimë ne sa dëshmorë i ka vendi jonë. A e dimë sa invalidë? A e njohim ne një invalid që i ka humbë sytë në luftë, që është i vetmi? Pakkush ia din emrin. Ai quhet Maliq Dragusha, nëse dikush do me ditë. Ne merremi me çështje të mëdha, por ne në bërthamë jemi keq. Po e zëmë që Vuçiq një ditë do të kërkojë falje, a ka shteti ynë shifra të sakta për viktimat e luftës?”, ka pyetur ai.

Po ashtu, Syla në fjalën e tij ka kërkuar nga shefi i GP të VV, Rexhep Selimi, që të frenojë aktivistët e VV-së të cilët, tha ai, po e rëndojnë gjendjen shëndetësore të invalidit të luftës Shpejtim Agusholli, duke i shkruar në rrjetet sociale.

“Për Rexhep Selimin e kam një kërkesë. E di që e keni një rrjet në Facebook, që ata njerëz kanë detyra të caktume me lavdu njerëz e me ofendu të tjerë. Z. Selimi e kam kuptu që ju jeni njerëzit më të mirë në botë. Kërko në atë foltore që mos t’i shkruajnë Shpjetim Agusholli se ai po do me vdekë kur dikush po i shkruan atij. Ai është në karrocë. Me morfinë po e mbajmë atë”, tha Syla. Deputeti Syla tha se nëse është e nevojshme ai mund t’i marr përsipër ofendimet që i drejtohen Agushollit. “Tytat që i kanë kthy nga Shpëtimi, po kërkoj me i kthy ka unë. Ne jemi të shëndetshëm, e përballojmë”, tha ai.  

Të ngjashme