Në kuadër të aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”, vullnetarët e “Let’s Do It Kosova” janë bashkuar për pastrimin e rrugës Viti – Binçë – Debellde.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, falënderoi të rinjtë që po marrin pjesë në aksionin e sotëm dhe, ndër të tjera, bëri të ditur se kjo komunë është bërë pjesë e strategjisë 2020-2030, e cila është me standarde botërore për përmirësimin e kushteve të ambientit, raporton Ekonomia Online.
“Aksionet që oazat e bërllokut t’i shndërrojmë në oaza të gjelbërume, ambientin tonë ta ruajmë, ta mirëmbajmë, ta gjelbërojmë, dhe ta kultivojmë edhe ma tutje në mënyrë që gjeneratat e reja vërtet ta kenë një ambient më të mirë, një komunë më të mirë ashtu qysh e dëshirojnë qytetarët, mbi të gjitha me standarde si duhet, për arsye se ne tash po hymë në strategjinë 2020-2030 që janë standardet botërore, sipas vendimeve të Nju Jorkut, ku komuna e Vitisë është e vetmja komunë në Kosovë që ka hy në këtë strategji, që kërkon standarde dhe kushte të reja ambientale, prandaj ne qysh në fillim të vitit e kemi shpallë vitin 2018, vit të ambientit dhe vit të mbrojtjes së pyjeve”.
Haliti tha se kjo ish-deponi do të shndërrohet në park për qytetarët, ngase do të ketë edhe ulëse për të pushuar dhe shporta për mbeturina, raporton EO.
“Mbi të gjitha, ne po e kthejmë këtë ish-deponi të bërllokut në gjelbërim, pyllëzim, do të ketë edhe ulëse, edhe shporta për qytetarët e Vitisë, por do të ketë edhe mirëmbajtje. Këto janë shërbime publike që do të kujdesen edhe për mirëmbajtjen e kësaj hapësire, këtij trekëndëshi, që nuk e lidh vetëm Vitinë me Kabashin edhe me Smirën, por tash e lidh edhe me Dobreshin, me Magjistralen edhe me Palestrën Sportive që po ndërtohet tash rishtazi”.
Haliti tha se afër kësaj hapësire do të bëhet edhe tregu i kafshëve.
“Këtu do ta kemi edhe tregun e kafshëve shumë afër, i cili faktikisht është finalizu në mënyrë që ta lidhim një infrastrukturë në rrugë, dhe vend për mbeturina të ngurta nuk do të ketë në Viti”.
Pas këtij vendi, kryetari Haliti tregoi se do të vizitohet edhe shëtitorja e re, e cila është duke u ndërtuar.
“Tash do të vizitojmë edhe shëtitoren e re që po ndërtojmë Viti – Binçë që ka gjatësinë 6 kilometërshe, përgjatë lumit Morava. Ne kemi thënë se lumin Morava në fillim, para dy-tri veteve, se do ta kthejmë në përparësi dhe jemi duke vazhdu. Do të kontribuojmë që atje ku kemi mbeturina sot t’i pastrojmë, edhe pse e di që është duke u kriju një ambient rreth lumit Morava i pastër, një shëtitore që traditën e shëtitjes në Viti po e kthen në interesin e qytetarëve të Vitisë. Do të shohim edhe pyjet tona në çfarë gjendje janë dhe do ta japim mesazhin për ruajtjen e ekosistemit tonë, ruajtjen e hidroekonomisë, ruajtjen e faunës dhe të gjitha vlerave tjera që i nevojiten gjeneratës të re”.
Besnik Shabiu, nga organizata “Ta pastrojmë Kosovën”, tha se kjo hapësirë do të shndërrohet në park me drunj e me ulëse.
“Këto hapësira, pas pastrimit duhet edhe të mirëmbahen. Kjo hapësirë e cila është pastruar para disa ditëve , në të njëjtën hapësirë po gjelbërohet, po mbillen drunjtë, do të vendosen edhe ulëse dhe do të shndërrohet në park”.
Ai shtoi se pjesë e planit është pastrimi i lumenjve, ndërkaq përmendi si mision të radhës procesin e riciklimit, i cili sipas tij, është vonuar në Kosovë.
“Mesazhe të tilla na japin shpresë se pas datës 15 tetor më nuk do të flasim për deponi ilegale të mbeturinave, por për një zhvillim të qëndrueshëm mjedisor. Kjo bëhet vetëm kur bëhemi bashkë dhe duke investuar në infrastrukturën mjedisore, kur ne vazhdojmë të flasim për misione të tjera të përpunimit të mbeturinave, konkretisht riciklimit, i cili është një proces që është vonuar në Kosovë, dhe kështu vazhdojmë tutje t’i pastrojmë edhe lumenjtë, sepse janë në gjendje fatkeqësisht të keqe”.