Drejtori ekzekutiv i Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale, Besnik Tahiri, ka thënë se asociacioni i komunave serbe nuk mund të ketë asnjë përgjegjësi mbi arsimin e lartë.
Ai ka thënë se është detyrë e institucioneve të shtetit që të marrin për bazë rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese.
Tahiri ka theksuar se komunat nuk kanë ndonjë rol në fuqizimin e demokracisë së drejtpërdrejt, autonomisë fiskale e as në aspektet e shërbimeve dhe atyre zhvillimore lokale.
Ky është postimi i tij i plotë:
Edhe disa fjalë rreth themelimit të Asociacionit!
E para, askund në botë nuk ka një praktikë që Asociacioni i Komunave të ketë përgjegjësi mbi arsimin e lartë. Kjo do të thotë se një kërkesë e tillë nga Beogradi është një lojë që për qëllim ka më shumë shtyrjen se sa themelimin e këtij Asociacioni.
E dyta, në Kosovë, institucionet e shtetit e kanë për obligim të marrin për bazë rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese. Si rrjedhojë, Statuti duhet të reflektojë rekomandimet dhe të marrë për bazë udhëzimet e Kushtetueses. Ndërsa, në të njëjtën kohë, Qeveria duhet të jetë e qartë duke mos lejuar që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive dhe në të njëjtën kohë të mos jetë nivel i dytë rajonal i qeverisjes.
E treta, sa i përket funksionimit dhe organizimit të qeverisjes lokale në përgjithësi, e me theks tek asociacionet, definitivisht Serbia nuk ka shembuj e as praktika të mira në këtë fushë. Atje edhe më tutje komunat nuk kanë ndonjë rol në fuqizimin e demokracisë së drejtpërdrejt, autonomisë fiskale e as në aspektet e shërbimeve dhe atyre zhvillimore lokale.
Krejt në fund, logjika e Asociacionit nuk është strehë nacionalizmi, por instrument për demokratizim dhe integrim.