Ministri i Drejtësisë, z. Abelard Tahiri, priti në takim Ambasadorin e OSBE-së në Kosovë, z. Jan Braathu, me të cilin diskutuan për ecurinë e reformave në sistemin e drejtësisë, sfidat, të arriturat dhe orientimet strategjike në këtë sektor.
Ministri Tahiri, e njoftoi z. Braathu me ecurinë e reformave të ndërmarra deri më tani, veçmas në proceset që lidhen me rishikimin e legjislacionit penal dhe atë të fushës civile.Në takim, u diskutua edhe për qasjen e re legjislative ndaj fushave me prioritet që lidhen me sundimin e ligjit.
Ministri Tahiri dhe Ambasadori Braathu diskutuan për të bashkërenduar aktivitetet, veçmas në temat që lidhen me adresimin e masave kundër dhunës në familje si dhe ofrimin e asistencës ndaj viktimave të kësaj dukurie.
Ministri Tahiri shprehu konsideratë për Misionin e OSBE-së në Kosovë, i cili vazhdon të mbetet një partner i Republikës së Kosovës, përfshirë edhe sferën e sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut.