Ministri i Drejtësisë i Republikës së Kosovës, Abelard Tahiri, ka pritur sot në takim Drejtorin e Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDH Kosovë), Bekim Blakaj, dhe Koordinatoren e projektit të këtij fondi “Monitorimi i Gjykimeve për Krime Lufte dhe Vepra Penale me Prapavijë Politike dhe Etnike”, Anka Kurteshi.
Tahiri ka përgëzuar Blakajn dhe Kurteshin për angazhimin e FDH në zbatimin e mekanizmave të drejtësisë tranzicionale, në mënyrë që të inkurajohet përballja me të kaluarën dhe të sigurohet respektimi i të drejtave të njeriut.
Ai theksoi se drejtësia tranzicionale është një fushë e rëndësishme që i ndihmon shoqëritë në tranzicion që ta tejkalojnë të kaluarën e përshkuar me konflikt dhe shkelje të të drejtave të njeriut, si dhe është një nga instrumentet më të rëndësishme të procesit të demokratizimit dhe në raste të caktuara nxitë edhe pajtimin dhe stabilitetin në shtetet post-konfliktuoze.
Nga ana tjetër, Drejtori i FDH Kosovë, Bekim Blakaj, dhe Koordinatorja e projektit gjegjës të fondit, Anka Kurteshi, e falënderuan ministrin Tahiri për pritjen e bërë dhe kërkuan që Ministria e Drejtësisë së Republikës së Kosovës t’i mbështesë dhe promovojë rekomandimet e dala nga raporti për vitin 2016 i projektit të FDH në Kosovë “Koha kalon, drejtësia për krime lufte zbehet”.
Ministri Tahiri theksoi se Ministria e Drejtësisë e mirëpret bashkëpunimin e ngushtë me FDH në Kosovë.