Drejtori ekzekutiv i Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI), Besnik Tahiri, ka pritur në takim Ambasadorin e ri të Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë, Strand Sjaastad me bashkëpunëtorë dhe njëkohësisht ka uruar atë për marrjen e misionit.
Ambasadori Sjaastad gjatë diskutimit shprehu interesimin për zhvillimet, sfidat, sukseset dhe perspektiven e nivelit lokal.
Ndërkaq, Tahiri, duke vlerësuar angazhimin e Ambasadës norvegjeze në përkrahjen e iniciativave lokale dhe programeve të Institutit KLGI, njoftoi atë lidhur dinamikat dhe trendet që po i përcjellin komunat dhe për angazhimin që po zhvillon ky Institut në përkrahjen dhe fuqizimin e nivelit lokal.
Diskutim i përgjithshëm ishte edhe për Asociacionin e Komunave dhe tema tjera me interes për pushtetin lokal.
Theks i veçantë u vendos në programin e edukimit të zyrtarëve komunal LGA VI dhe atë të përkrahjes së fokusuar për sektorët komunal nëpërmjet LGA Empower, programe këto që mbështeten nga Ambasada norvegjeze.
Përmes këtyre dy programeve, KLGI synon të hartojë një dokument të politikave si mjet i reformave i cili do të jetë në linjë me strategjinë e MAPL-së, praktikat rajonale dhe trendet ndërkombëtare të qeverisjes lokale.
Ambasada e Norvegjisë ka mbështetur Institutin KLGI në vazhdimësi dhe ky bashkëpunim ka rezultuar në impakt pozitiv në fushën e qeverisjes lokale në Kosovë. Andaj, kjo vizitë ka shërbyer si njohje mes dy palëve duke konsideruar se Ambasada norvegjeze vazhdon të jetë një ndër partnerët kyç të Institutit KLGI.