Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri po e quan avancim të sistemit të drejtësisë që do të bëhet me anë të Kodit e Procedurës Penale të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Në një konferencë për media, Tahiri tha se për dallim me kodin e kaluar, është një reformim në luftën kundër krimit të organizuar.
“Reformimi i Kodit të Procedurës Penale, një reformim i dokumentit më të rëndësishëm për shtetin e Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Karakteristika që përmban ky draft dokument është se 220 nene janë shqyrtuar në parimin më të lartë të sistemit ligjor të drejtë dhe efikas”, tha Tahiri.
Ai tha se me ndryshimet e bëra askush nuk mund të i ik ballafaqimit me drejtësinë.
“Parimi themelor gjatë hartimit të kodit, ka qenë lufta kundër krimit të organizuar dhe barazia dhe siguria juridike, me ndryshimet e bëra askush nuk mund të i ik ballafaqimit me drejtësi, është avancim i madh në krahasim me kodin e procedurës penale që ka qenë në fuqi”, u shpreh ai.
Tahiri shtoi se janë 12 akte të Bashkimit Evropian, sipas tij, do të vendosin standard të fuqishëm ndaj korrupsionit dhe parasë publike.
“12 akte të BE-së, pjesa më e rëndësishme lidhet me ndryshimet përmbajtjesore, suspendimi i zyrtarëve që u ngrit aktakuzë për vepra penale të keqpërdorimit të detyrës me ketë po e vendosim standard të fuqishëm ndaj korrupsioni dhe parasë publike”, shtoi Tahiri, raporton EO.
Ministri i Drejtësisë potencoi edhe çështjen e zgjatjes së hetimeve si dhe gjykimin në mungesë, për të cilën tha se do të përfshihen krimet e luftës.
“Është shtruar alternativa për zgjatjen e kohës së hetimeve, koha e hetimit mund të zgjasë në maksimum prej 4 vitesh siç ka qenë tani për 2 vite. Gjykimi në mungesë do vlejë për gjitha rastet përfshirë krimet e luftës”, pohoi ministri Tahiri.
Sa i përket hetimeve për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, Tahiri tha se i ka dokumentet për hetimet e vrasjes së tij.
Ndërsa për ekstradimin e Milan Radojqic do të veprohet konform rregullave.
“Kemi marrë dokumentet nga Serbia, i kemi dërguar në organet kompetente unë si ministër nëse do marr ndonjë hap të ekstradimit do veproj komform rregullave”, tha ai, raporton EO.