Drejtori i Institutit të Kosovës për Qeverisje Lokale, Besnik Tahiri, ka thënë se edhe 15 vjet pas luftës institucionet e Kosovës merren ende me çështje të mëdha dhe i shohin si suksese të tyre ndërkohë që e kanë harruar në tërësi pushtetin lokal.
Ai ka thënë se edhe tetë vite pas shpalljes së pavarësisë ende nuk ka asnjë ndryshim substancial në rregullativën qeverisëse dhe as në promovimin e zhvillimit lokal.
Lexojeni të plotë reagimin e Tahirit:
“Nga 12 deri më 15 tetor të këtij viti në Bogota të Kolumbisë do të mbahet samiti botëror i liderëve lokalë dhe rajonalë. E lexova me kujdes rendin e ditës dhe artikujt akademik që do të prezantohen dhe pashë se në fokus është zhvillimi ekonomik lokal si mënyrë për të shtyrë përpara kohezionin social.
15 vite pas zgjedhjeve të para lokale dhe rrjedhimisht pas konstituimit të pushtetit lokal në Kosovën e pasluftës dhe gati 9 vite nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës, ne ende sillemi e pshtillemi rreth temave të ‘mëdha’ që me e thanë troç, as që kemi pasur dhe as që kemi tani ndonjë ndikim në to, si në inicim, përpilim dhe miratim.
Popull i dashtun, qeveri e kuvend, po ju rikujtoj që shkoi edhe 2016 pa asnjë ndryshim substancial si në rregullativën qeverisëse ashtu edhe në promovimin e zhvillimit lokal.
Nëse mendoni se sukses është miratimi i tejzgjatur i Ligjit për Trepçën dhe atë në orët e vona të natës, atëherë Zoti ju ndihmoftë.”