Ministrja për Dialog në detyrë, Edita Tahiri, ka takuar sot në Gjenevë ministrin e Punëve të Jashtme të Sudanit, Ibrahim Ahmed Ghandour, me ç’rast ka kërkuar njohjen e shtetit të Kosovës nga Sudani.
Ministrja Tahiri ka theksuar se pavarësia e Kosovës dhe progresi që është bërë në zhvillimin e shtetit dhe integrimet euro-atlantike janë argumente të qëndrueshme dhe bindëse që Sudani ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Ajo më tutje theksoi se pavarësia e Kosovës është në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare duke qenë se edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka vërtetuar ligjshmërinë e deklaratës së pavarësisë së Kosovës.
“Shteti i Kosovës është njëri nga shtatë shtetet e reja që janë krijuar pas procesit të zhbërjes së ish-Jugosllavisë, ku secila prej tyre kanë njësi federale që më pas janë bërë shtete të pavarura dhe sovrane”, ka theksuar ministrja Tahiri, duke shtuar se shteti i Kosovës ka lindur si rezultat i angazhimit shekullor të popullit të saj për liri dhe pavarësi, e cila mori mbështetjen e fuqishme të partnerëve ndërkombëtarë në krye me ShBA-të.
Ajo tha se në këto nëntë vite të shtetësisë së saj, Kosova është një nga shtetet që më së shumti i ka kontribuar paqes, stabilitetit dhe fqinjësisë së mirë në rajonin, duke ndihmuar përshpejtimin e integrimeve euro-atlantike të gjithë shteteve në rajon. Ministrja Tahiri përmendi progresin e gjithëmbarshëm duke thënë se shteti i Kosovës ka bërë hapa kolosal në shtetndërtimin e saj duke e forcuar sovranitetin, ndërtimin e institucioneve demokratike, duke ndërmarrë reforma të rëndësishme në fushat me interes të veçantë dhe duke zbatuar projekte kyçe infrastrukturore.
Në planin ndërkombëtar, ministrja Tahiri tha se Kosova përherë e më shumë është duke e fuqizuar subjektivitetin e saj ndërkombëtar dhe avancuar agjendën euroatlantike. Ajo shtoi se tashmë kemi hyrë në rrugën zyrtare të integrimit evropian pasi që kemi nënshkruar Marrëveshjen për Stabilizim Asociim me Bashkimin Evropian, si dhe kemi vendosur edhe lidhjet zyrtare me NATO-n.
Ajo gjithashtu potencoi se deri tani më shumë se gjysma e vendeve anëtare të OKB-së e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, gjithsejtë 114 vende dhe me ketë rast theksoi rëndësinë që ka edhe njohja e Kosovës nga ana e Sudanit duke bërë me dije se më shumë se gjysma e vendeve të Afrikës kanë njohur Kosovën ndërkohë që aleatët e Sudanit siç janë Egjipti dhe Turqia kanë njohur po ashtu Kosovën.
Nga ana e tij, ministri Ghandour shprehu kënaqësinë për këtë takim me ministren Tahiri duke thënë se vendi i tij përcjellë me vëmendje të veçantë përparimet dhe i vlerëson lartë arritjet e Kosovës si dhe pjekurinë politike që po e dëshmon Kosova si faktor paqeje e stabiliteti në rajon. Ministri i Jashtëm Ghandour tha se Sudani është duke e shqyrtuar me seriozitet vendimin për njohjen e shtetit të Kosovës dhe se në këtë drejtim mund t’ju jap sinjale pozitive. “Shteti i Sudanit në periudha të rëndësishme ka dhënë ndihmë të konsiderueshme humanitare për Kosovën. Sudani i mbështetë proceset integruese të Kosovës dhe vendi i tij ka qenë një nga shtetet që ka votuar pro anëtarësimit të Kosovës në UNESCO”, theksoi Ministri Ghandour, duke shtuar se kontaktet në mes të dy qeverive tona duhet të vazhdojnë dhe se sigurojë që vendimi i duhur për Kosovën do të merret së shpejti.
Në këtë takim ishte prezent edhe ambasadori i Sudanit në OKB në Gjenevë, Mustafa Osman Ismail, të cilin ministrja Tahiri e takoi në janar të këtij viti dhe me të cilin u dakorduan për këtë takim me ministrin e të Punëve të Jashtme të Sudanit, Ibrahim Ahmed Ghandour, që u zhvillua sot në Gjenevë. Në këtë takim ministrja Tahiri shoqërohej nga këshilltari kryesor politik i saj Dren Zeka.