Tahiri: Kompanisë që prodhon dyer e dritare i ishte dhënë tenderi për riparimin e Bllokut A5

Prishtinë | 10 Maj 2023 | 18:42 | Nga Ekonomia Online

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Xhafer Tahiri thotë se kryeministri Albin Kurti po tregohet i paguximshëm për t’i shkarkuar Martin Berishajn e Nagip Krasniqin.

Sipas tij krejt kjo situatë lë për të dyshuar se kemi të bëjmë me një sistem të organizuar që ka pasë për qëllim sigurimin e financave për VV-në.

“Sigurisht që shpjegimin duhet ta japë vet kryeministri Kurti. Pse është i paaftë me i shkarku dy njerëzit më të përfolur për korrupsion. A është vet z. Kurti në ndonjë mënyrë i përfshirë me këta njerëz sepse mbrojtja e tyre nga VV e nga Qeveria në mënyrë kaq fanatike, lë për të dyshu se kemi të bëjmë me një sistem krejt të organizum e që ka pasë për qëllim sigurimin e financave për VV, në një mënyrë ose tjetrën. Sepse Lëvizja Vetëvendosje asnjëherë deri më sot

nuk e ka mohuar që Martin Berishaj apo paratë e ndërlidhura me të nuk kanë hyrë në fushatën e saj politike”, ka deklaruar Tahiri.

Duke folur për rastin e Nagip Krasniqit, ai ka thënë se KEK-u në kohën e tij ia ka dhënë tenderin për riparimin e Bllokut A5, një kompanie që funksion primar e ka prodhimin e dyerve dhe dritareve të plastikës.

“Rasti i Nagip Krasniqit kur një kompanie që prodhon plastikë, domethënë aktivitet primar e ka dyer e dritare të plastikës, i është dhënë tenderi në mënyrë të negociume nga KEK-u për me riparu Bllokun A5. Qysh mundet një kompani që prodhon dyer e dritare me riparu Bllokun A5. Natyrisht që ajo kontratë është ndërprerë por nënshkrimi i saj i ka sjellë dëm Kosovës. Nuk është prodhu rrymë nga blloku A5, 130 megavatë në orë nuk ka pasë prodhim”, ka deklaruar ai në Ditari në Tëvë1

Sipas Tahirit Qeveria ka dhënë 89 milionë euro avans për punë që ende nuk janë kryer.

“Nagip Krasniqi është zënë në flagrancë duke nënshkruar një kontratë të dëmshme njëburimore dhe nuk është vetëm KEK-u që është duke nënshkruar kontrata njëburimore. Janë me dhjetëra kontrata njëburimore në Ministrinë e Infrastrukturës. Kjo Qeveri ka paguar 89 milionë euro para avans për investime kapitale për punë që ende nuk janë kryer. Asnjëherë, asnjë Qeveri e Kosovës nuk ka paguar më shumë para dhe këtë duhet ta hetojë edhe nga Prokuroria. Pra janë paguar avans dhe nuk ka siguri që ato punime do të përfundojnë”, ka thënë Tahiri.

Të ngjashme