Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka marrë pjesë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës në të cilën është diskutuar raporti për vëzhgimin e zgjedhjeve në Serbi.
Tahiri përmes llogarisë së tij zyrtare në Facebook, ka thënë se është konkluzion i përbashkët që këto zgjedhje nuk kanë qenë të lira dhe që demokracia atje është në rrezik.
“Jemi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Për momentin është duke u diskutuar raporti për vëzhgimin e zgjedhjeve në Serbi. Është konkluzion i përbashkët që këto zgjedhje nuk kanë qenë të lira dhe që demokracia atje është në rrezik”, ka thënë Tahiri.
Ai ka shtuar se gjatë këtyre ditëve Kosova do të ketë disa takime.
“Gjatë këtyre ditëve, Kosova do të ketë disa takime, do të bëjmë gjithçka që është e mundur, që të përçojmë mesazh unifikues dhe të argumentuar, që Kosova e meriton anëtarësimin”.