Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka pritur në takim ambasadoren e Finlandës në Kosovë, Anne Huhtamaki, me të cilën ka biseduar për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon, me theks të veçantë në proceset e reformave evropiane, si dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës.
Ministrja Tahiri ka rikonfirmuar gatishmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe njëkohësisht e njoftoi ambasadoren Huhtamaki për progresin e Kosovës, me fokus të veçantë për përmbushjen e agjendës evropiane për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, për të cilën, siç tha ministra Tahiri, Qeveria mbetet e përkushtuar me prioritet.
Tahiri theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar për paqe dhe fqinjësi të mirë në rajon, por shprehu shqetësimet për provokimet destabilizuese të kohëve të fundit nga ana e Serbisë. Ajo shprehu bindjen se intensifikimi i dialogut për fqinjësi të mirë në nivelin e lartë politik me angazhimin e Bashkimit Evropian, do t’i shërbejë tejkalimit të tensioneve për të cilin Kosova po dëshmon angazhim për paqe dhe zbatim të marrëveshjeve të dialogut.
“Fqinjësia e qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet, por çelësi është te njohja e ndërsjellë mes dy shteteve”, theksoi ministrja Tahiri, duke shtuar se provokimet e fundit shihen në kontekstin e agjendave të vjetra negative gjeopolitike, ndërkohë që të gjitha vendet e Ballkanit kanë pranuar realitetin e shtatë shteteve të reja dhe kanë agjendë të qartë euroatlantike.
Ndërkaq, ambasadorja finlandeze, Huhtamaki rikonfirmoi qëndrimin e qartë të shtetit të saj për shtetin e Kosovës, sovranitetin dhe integritetin territorial të saj dhe tha se Finlanda mbështet fuqishëm integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe strukturat euroatlantike.
“Angazhimi jonë për Kosovën është konkret dhe në shumë fusha kemi bashkëpunim të shkëlqyer me Kosovën”, tha ajo, duke shtuar se do të vazhdojnë të mbështesin fuqizimin e shtetit të Kosovë.