Tahiri: Kosova, i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që kompenson viktimat e krimit, ndahen 87 mijë €

Prishtinë | 22 Shk 2018 | 09:09 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka pritur në takim anëtarët e Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, për të shënuar Ditën Evropiane të Viktimave të Krimit. Në fillim të takimit mediet janë lejuar të marrin vetëm pamje, raporton Ekonomia Online.

Sipas një komunikate nga zyra e Tahirit thuhet se duke qenë i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që ka Ligj për Kompensimin e Viktimave të Krimit, ministri  ka shprehur përkushtimin e tij për të ndihmuar qytetarët që janë viktima të krimit në realizimin e të drejtës ligjore për kompensim.

“Konsideroj se drejtësia nuk mund të arrihet nëse viktimat harrohen apo nuk trajtohen në mënyrë të drejtë; për këtë qëllim sistemi jonë i drejtësisë po transformohet çdo ditë duke vënë në qendër mbrojtjen e viktimës”, ka thënë ministri Tahiri.

Ministri Tahiri ka falënderuar anëtarët e Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit për punën që e kanë bërë, duke  i siguruar se baza ligjore e këtij programi siguron qëndrueshmëri financiare dhe institucionale, duke marrë parasysh se fondi për kompensim të viktimave vjen nga të hyrat e taksave gjyqësore dhe prokuroriale, dhe për vitin 2018 janë ndarë 87 mijë euro që shfrytëzohen ekskluzivisht për kompensim të viktimave. 

“Ne asnjëherë nuk mund ta kompensojmë vuajtjen e viktimave por duhet të vazhdojmë të ndërmarrim të gjitha masat për të minimizuar vuajtjet e tyre që kanë përjetuar gjatë dhe pas krimit”, ka thënë Tahiri.

Nga ana e saj, Nesrin Lushta, si kryesuese, bëri të ditur se Komisioni është funksional nga prilli i vitit të kaluar, dhe se qëllim kryesor të punës së tyre kanë që viktimat të trajtohen pa diskriminim, por me respekt dhe dinjitet.

Në maj të vitit të kaluar është lansuar programi i kompensimit të viktimave të krimit. Realizimi i këtij programi është bërë i mundur falë mbështetjes që Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ua ka dhënë Ministrisë së Drejtësisë dhe organeve të tjera të drejtësisë.

Të ngjashme