Paralajmërimeve për protestë të Albin Kurtit kundër negociatave me Serbinë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, i është përgjigjur ashpër sot Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri. Në një status në rrjetin social Facebook, Tahiri ka thënë se kryetari i Vetëvendosjes i është kthyer avazit të vjetër dhe me fraza manipulative.
Sipas Tahirit, masat anti-insitucionale e aksionet subversive nuk janë risi, pasi në këtë mënyrë Kurtin ka bërë gjatë gjithë procesit historik të ndërtimit të shtetit të Kosovës.
“I kemi parë këto veprime në vazhdimësi, pikërisht në momentet delikate gjatë procesit historik të shtet ndërtimit të Kosovës. Me anë të tyre ai ka synuar t’i sabotoj fazat kyqe të ndërtimit të shtetësisë sonë. Kështu, edhe sot ky qëndrim pos që vuan nga disa të meta bazike sa i përket rezonit logjik shtetëror që do të duhej ndjekur me synim sigurimin e një stabiliteti afatgjatë për Republikën e Kosovës, po ashtu këto prononcime e shndërrojnë atë në abuzuesin më të madh në skenën publike të Kosovës” ka shkruar Tahiri.
“Pra si në të kaluarën edhe tani alternativa e vetme e tij ka mbetur kaosi. Për të politika ka qenë vetëm një shans jetësor për të promovuar pasionet e tij revolucionare, por jo edhe përgjegjësi konstruktive politike për ndërtim të shtetit. Ky aspekt e bënë Albin Kurtin një mashtruesi ordiner dhe asgjë më shumë” ka shkruar më tutje Tahiri.
I pari i drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, ka shkruar edhe se negociatat e mbështetura nga BE-ja dhe SHBA-ja kanë synim përkufizimin juridik dhe politikë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe sigurimin e njohjes nga Serbia. Marrëdhëniet e normalizuara mes tyre, sipas Tahirit, kërkohen edhe me strategjinë e BE-së për Zgjerim. Ndërkohë që integrimin euroatlantik dhe sidomos anëtarësimin në OKB, Kosova synon ta arrijë për të garantuar stablitetitin, qëndrueshmërinë dhe zhvillimin afatgjatë shtetëror. Të gjitha këto, sipas Tahirit, bëjnë që pretendimet se mund të arrihen këto integrime duke refuzuar dokumentet zyrtare të BE-së dhe rekomandimet tjera ndërkombëtare, të jenë plotësisht absurde.
“Republika e Kosovës e ka të domosdoshme anëtarësimin në OKB për t’ja siguruar vetës ekzistencën stabile dhe garantimin permanent subjektivitetit të saj shtetëror ndërkombëtar.
Dhe nëse me trillet e tij politike Albin Kurti duke i kundërshtuar si negociatat e Rambujesë ashtu edhe ato të Vjenës nuk ka mundur ta ndal si çlirimin dhe as sigurimin e shtetësisë nëpërmjet këtyre proceseve, nuk ka dilemë edhe kjo inciativë e tij e kontestimit të këtij procesi që ka për qëllim t’i siguroj Kosovës ulësen në OKB do të dështojë pashmangshëm në koshin e mbeturinave ideologjike antishtetërore që Albin Kurti dhe lëvizja e tij e përfaqësojnë” ka përfunduar Tahiri