Ministri në detyrë, Abelard Tahiri u ka kundërpërgjigjur akuzave të Albin Kurtit, duke thënë se pas tentimit të parë për kapjen e sindikatave, tregoi cilët janë hapat e tij të ardhshëm për kapjen e gjyqësorit, diplomacisë, noterisë e shume institucioneve të tjera që janë kategori kushtetuese.
Kurti gjatë ditës, ka thënë se qeveria në detyrë duhet të jetë e përmbajtur kur bëhet fjalë për emërime të ndjeshme si ato në Noteri, Gjyqësi, Diplomaci, Siguri publike apo AKI, pasi këto vendime i takojnë kryekëput qeverisë së re, pasi të ketë përfunduar skanimi i gjendjes ekzistuese dhe identifikimi i pengesave në operimin e suksesshëm të secilës prej tyre.
“Nuk i duhet një mediokri si Albin Kurti, më shumë sesa një postim në Facebook, për të shprehur paaftësinë e tij konstante për të qenë kandidat serioz për kryeministër. Në postimin e tij, sot e konfirmoi atë që e dimë të gjithë”, shkruan Tahiri.
Tahiri thotë se “pas tentimit të parë për kapjen e sindikatave, sot na tregoi cilët janë hapat e tij të ardhshëm për kapjen e gjyqësorit, diplomacisë, noterisë e shume institucioneve të tjera që janë kategori kushtetuese, e besoj shumë shpejt do ta tregojë edhe vizionin e tij për sportin”.
“Ky mediokër ka mungesë të njohurive themelore të qeverisjes, por do ishte mirë sikur të ishte vetëm fakti se nuk e ka “haberin” se cila është detyra e një kryeministri. Krahas mungesës së njohurive elementare, në rastin më të keq, ai po pretendon t’i japë formë konkrete iluzionit të tij shkatërrues ndaj vlerave demokratike e rendit liberal të themeluar nga kushtetuta e vendit. Flet për qeverinë e tij e cila paska të drejtë të marrë në përgjegjësi, ani pse kjo i takon organeve të pavarura të zbatimit të ligjit kur ato vlerësojnë se janë bërë shkelje të ligjit”, shkruan Tahiri.
Postim i Tahirit:
1. Paska të drejtë të emërojë gjyqtarë, ani pse gjyqtarët janë kategori kushtetuese që rekrutohen e emërohen jashtë mandatit të qeverisë dhe nuk lidhen aspak me proceset politike.
2. Dashka të marrë kompetenca të institucioneve tjera, për të diktuar vullnetin se kush duhet emëruar në shërbimet diplomatike.
3. Dashka të vendosë gjendjen e status-quo’s për të skanuar çdo gjë, para se të fillojë të bëjë ndonjë gjë, pasi që në “eksperiencën e tij të lavdishme qeveritare” ekzistojnë kritere të vlerësimit që ne të tjerët s’mund t’i arrijmë.
4. Sot, na paralajmëroi për vizionin e tij për drejtësinë, shtetin e pushtetin, duke i dhënë formë e përmbajtje kapjes së shtetit, siç vetëm ai di ta bëjë. Me këtë sindrom, qeveria e Albinit, paska për të qenë fundi i çdo ligji që e frenon shfrenimin e një kryeministri të pa takt për të qeverisur.
Por e gjithë kjo, ka një bilanc të shëndoshë: në sytë e qytetarëve të Kosovës, një qeveri e tillë, është asgjë më shumë sesa ëndrra e një mediokri për të drejtuar ekzekutivin, ëndrra nga e cila Albini po shihet se e ka të vështirë të zgjohet. Dikush duhet t’ia bëjë të qartë se në Kosovën e ndërtuar me sakrificë, autoritarizmi e shfrenimi qeveritar nuk kanë vend. Të drejtat që i kanë qytetarët e vendit dhe institucionet e saj të njohura e të garantuara nga Kushtetuta, nuk janë e nuk do jenë asnjëherë subjekt i vullnetit të Albin Kurtit.
Pas shpalosjes së këtij vizioni të shndritshëm për kapjen e shtetit, tashmë presim që në postimin e radhës, ai të përcaktojë edhe se kush do luajë në përfaqësuesen Kosovës në futboll, ngase prezenca e tij në stadium nuk mund të mbetet pa u shoqëruar me diktimin e ritmit të lojës, lojtarëve dhe rezultateve që medoemos duhet t’i arrijnë lojtarët në fushë.
PS: Çështjen e noterëve Albin, nuk do ta lë në dorën tënde, për të të kursyer nga mundimi.