Ministria e Drejtësisë organizoi tryezën e rrumbullakët “Mbrojtja e Informatorëve” me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Informatorëve.
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri tha se sundimi i ligjit veçanërisht luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar mbetet prioritet kryesor, raporton Ekonomia Online.
“Shoqëria ku bëjmë pjesë është shoqëri bashkëkohore që ka dhënë nga vetja për lirinë dhe demokracinë e këtij vendi. Janë rritur përpjekjet dhe përgjegjësitë për të parandaluar çdo dukuri që cenon integritetin e tyre. Sundimi i ligjit lidhet me luftën kundër keqpërdorimit të parasë publike, kundër korrupsionit”.
“Për mua sundimi i ligjit do të mbetet prioritet i çfarëdo cilësie edhe si qytetar i vendit. I kam kushtuar fokus luftimit të këtyre dukurive dhe vëmendje i kam dhënë ndryshimeve legjislative që kanë një emërues të përbashkët- zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit”.
Ai tha se prej vitit 2011 ekziston Ligji për mbrojtjen e informatorëve, por që është tërësisht i pazbatueshëm.
Për këtë çështje ai tha se synim ka hartimin e një ligji të ri që do t’i sjellim informatorët si mbrojtës të interesit publik dhe të promovojmë transparencën.
“Nga viti 2011 ekziston një Ligj në mbrojtjen e informatorëve, nga raportet e shoqërisë civile figuron se ka qenë tërësisht i pazbatueshëm. Duhet të sjellim këtë temë në një dimension të ri të shërbejë për mbrojtjen e atyre që i konsideroj heronj të vërtetë. Unë synoj që me ju të hartojmë një ligj të ri që do t’i sjellim informatorët si mbrojtës të interesit publik dhe të promovojmë transparencën. Çdo orvatje për korrupsion krim do të marrë përgjigjen e merituar”, ka shtuar Tahiri.
Libo Chlad, Nga zyra e BE-së në Kosovë, ka theksuar se Kosova duhet të vazhdojë luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit pasi që sipas tij, kjo shkakton çrregullim jo vetëm në ekonominë e vendit, por edhe në administratën publike.
“Disa vërejtjeje për këtë temë- është lartë në agjendë në kontekstin e zhvillimeve që është luftimi i korrupsionit. Siç ka thënë edhe Juncker në Kosovë se luftimi i korrupsionit duhet të jetë prioritet i Kosovës”.
“Për të adresuar korrupsionin BE ka qenë aktive në këtë drejtim, kemi mbështetur administratën në Kosovë. BE do të vazhdojë me asistencën e vet me të gjitha institucionet që japin kontribut në përmirësimin e kornizës ligjore, çfarë na duhen ligjet e përkthyera në letër kur nuk zbatohen. Ata që kanë kuraje, guximin qytetar të ngiten në këmbëve të tregojnë më gisht një krim që shpie deri të parandalimi duhet dhënë një gjë që është përgëzim një lloj çmimi për këtë”.
Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, tha se pjesa më e madhe e ligjeve që miratohen në Kuvendin e Kosovës janë plotësim-ndryshim i ligjit derisa e meta kryesore është fati i shkurtër deri tek miratimi i tyre.
“65 për qind të ligjeve të aprovuara në Kuvendin e Kosovës kanë qenë plotësim-ndryshim. Ndërsa e meta më e madhe është se prej inicimit deri tek miratimi i tij në Kuvend është afati shumë i shkurtër, vetëm 1 vit”, ka thënë Jashari.
“Ligji për informatorët, inkurajon informatorët të ofrojnë informata për keqpërdorime por ligji për shërbyesit civil ka një dispozitë ku thotë se kushdo që gjen informata brenda vendit të punës e bën atë si shkelës të vendit të punës i cili ndëshkohet edhe me largim nga vendi i punës”.
“Prokuroria duhet të shkojë në hap bashkë me informatorin, përndryshe nuk do të ketë sukses, kjo çështje duhet të diskutohet në nivel ekspertësh”, ka shtuar Jashari.
Shaip Havolli, Drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsion, ka thënë se informatorët në Kosovë nuk kanë siguri të plotë. Sipas tij, ligji për mbrojtjen e informatorëve nuk është zbatuar në tërësi.
“Ne çdo ditë ballafaqohemi me çështjen e informatorëve. Ne nuk kemi mundur që informatorëve të ju sigurojmë siguri. Ka pas pasiguri gjatë zbatimit të këtyre ligjeve. Ligji për mbrojtjen e informatorëve- nuk është arrit ndonjë gjë e veçantë, ligji nuk është zbatuar në tërësi, nuk ka manifestuar ndonjë vullnet shtetëror për informatorët”, ka thënë Havolli.
“Nuk ka adresim të veçantë, se ku informatorët të adresohen, agjencisë, prokurorisë, policisë, të adresohen në bazë të shkeljeve, Nuk është e specifikuar”.