Tahiri: Ligjin e Pagave nuk do ta dërgojmë në Kushtetuese

Prishtinë | 29 Dhj 2022 | 10:09 | Nga Ekonomia Online

Shefi i Grupit Parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se kjo parti nuk do ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese Ligjin e Pagave, derisa nuk dihet vlera e koeficientit, raporton Ekonomia Online.

Sipas Tahirit, Ligji i Pagave nuk duhet të kthehet në pikën zero, pasi që rrezikon të prodhojë pasoja të pariparueshme.

“Ligjin e Pagave, AAK-ja nuk do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese deri sa nuk dihet vlera e koeficientit, pra deri sa nuk kuptohet sa është rroga e një zyrtari publik. Ky ligj, nuk duhet, edhe një herë të kthehet në pikën zero, pasi që rrezikon të prodhojë pasoja të pariparueshme, por duhet gjithësesi të kontestohen  në Gjykatë së paku dy probleme: 1) ulja e pagave në Sistemin e Gjyqësorit dhe 2) diskriminimi i administratës publike i komunave në raport me rritjen e pagave dhe kategorizimin e të emëruarve politikë. Të dy pikat janë çështje serioze për Gjykatën Kushtetuese”, u shpreh Tahiri, teksa thotë se atë për Zyrtarët Publik do ta dërgojnë në Kushtetuese.

“Ligji për Zyrtarët Publik duhet të shkojë në Gjykatën Kushtetuese tash, pasi që i njëjti vendos kontrollin partiak mbi administratën, duke rrezikuar në plotësi reformat, me shpërfillje ndaj komenteve të SIGMA-së dhe BE-së. Me këtë rast, AAK është në koordinim dhe i bashkohemi bllokut opozitar për të ngritur çështje kushtetuese, e për ta kthyer në binarë këtë proces”, ka shkruar Tahiri.

Të ngjashme