Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka raportuar para komisionit parlamentar për Integrime Evropiane. Anëtari i komisionit nga LDK-ja, Armend Zemaj, e pyeti ministrin Tahiri se si janë bërë plotësim- ndryshimet në ligjet bazike.
Tahiri tha se çdo ndryshim i ligjeve është bërë në harmonizim me rekomandimet e dala nga Bashkimi Evropian dhe nuk janë ndryshuar në bazë të tekeve personale.
“Sa i përket ndryshimeve që po ndërmarrim po prekim në ligje bazike, këto janë rekomandime të dala nga vendimi. Çdo ndryshim është bërë në harmoni me Bashkimin Evropian. Nuk kemi bërë ndryshime që kanë ardhur si kërkesë e njerëzve, teke e çfarëdo përfaqësuesi të institucionit. A është dashur të ndodhë më herët padyshim që po. Ne kemi stagnuar në këtë proces si vend, nuk kemi arritur t’i mbyllim. Çdo ndryshim-plotësim i ligjit vjen si rezultat i rekomandimeve që vijnë nga BE-ja”.
Fitore Pacolli-Dalipi nga Lëvizja Vetëvendosje ka pyetur ministrin Tahiri se a është përmbushur kriteri për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, apo do të përmbushet pasi që sipas saj ministrja Dhurata Hoxha në raportim e sotëm ka thënë se është përmbushur, ndërsa Tahiri ka theksuar se duhet të përmbushet.
“Ministrja e Integrimit Evropian në raportim ka theksuar se është përmbush kriteri kryesor për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndërsa ju thatë gjatë raportimit shumë herë që duhet të përmbushet ky kriter. Dua të pyes a është përmbushur apo do të përmbushet? Dëgjuam që 39 raste janë shenjëzuar, shtatë kanë marrë formë të vendimit të prerë, a mjaftojnë këto raste të fitojmë liberalizimin e vizave”.
Ndërsa për raportin e Komisionit Evropian Pacolli-Dalipi iu drejtua Tahirit duke i thënë se është fshehur nga ministria që ai udhëheq dhe ministria e Integrimit Evropian.
Më pas ministri Tahiri iu drejtua deputetes duke i thënë mos manipuloni.
Tahiri tutje tha se çështja e vetëm 39 rasteve për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk ka të bëjë me atë që mbetet ky numër i rasteve të zgjidhura. Ai theksoi se ky është një proces që në vazhdimësi do të prodhojë rezultate.
“Çështja e 39 rasteve, në momentin që kryhen këto raste do të dalin, ky nuk është një proces që kryhet tashmë, por është proces në vazhdimësi që do të tregojmë rezultat, institucionet tona nuk kanë bërë mrekulli, por kanë shënuar progres. Do të ketë raste të reja që do të jenë pjesë e këtij mekanizmi përcjellës”.
Ilir Deda, nga LDK-ja, pyeti ministrin Tahiri se a ka ndonjë ligj që duhet të përfundohet për të fituar liberalizimin e vizave.
Tahiri tha se janë dy ligje të rëndësishme që duhet të përfundohen dhe që janë ende në Kuvend për të kaluar në lexim të dytë. Sipas tij është Ligji për Prokurorin e Shtetit dhe Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.