Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Abelard Tahiri, tha se ka shprehur shqetësimin në mbledhje të Kryesisë për votimin e anëtarëve për Gjykatën Kushtetuese, raporton Ekonomia Online.
Ai pas përfundimit të mbledhjes shtoi se ka kërkuar që mos të vazhdojë më tutje mungesa e gjyqtarëve.
Tahiri ka bërë të ditur se të hënën Kuvendi do të mblidhet në seancë të rregullt
“Diskutuam për seancën e radhës që është vendos ditën e hënë në ora 10:00. Një prej çështjeve qe e kam ngrit është edhe shqetësimi me votimin e anëtarëve në Gjykatën Kushtetuese edhe është një çështje që duhet të procedohet më tutje edhe kësaj here nuk e kemi pasur konsensusin dhe një çështje e tillë nuk duhet të shtyhet pafundësisht”.
E për situatën në veri Tahiri tha se nuk është vendosur data dhe dita e seancën.
Ai tha se mbështesin çdo vendim për vendosje të ligjshmërisë në çdo cep të Kosovës, krejt kjo në koordinim me ShBA-në, raporton EO.
“Jemi dakorduar që një seancë e tillë të mbahet ne ende nuk kemi vendosur për kohën dhe vendin, ne e mbështesim vendosjen e ligjshmërisë në çdo cep të Kosovës, neve na ka shqetësuar që një proces të tillë ta koordinojmë çdo herë me ShBA-në”.
“Çdo vendim ju e dini që gjendja në veri në shtatë vitet e fundit në veri ka ndryshuar për të mirë. Nuk duhet të lejohet kurrfarë organizimi paralel karshi institucioneve të Kosovës”, tha Tahiri.