Në Komisionin për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, sot ka kaluar pakoja ligjore e reformës së administratës publike, përkatësisht Projektligji për organizim dhe funksionim të administratës së shtetit, Projektligji për zyrtarët publikë dhe Projektligji për pagat.
“Këto tri Ligje bazike janë esenciale në rregullimin dhe qartësimin e organizimit të institucioneve të shtetit, si dhe barazisë në pagë. Është tejet e rëndësishme që në proces të ketë debat të mirëfilltë dhe përmbajtësor duke vendosur fokusin në adresimin e gjetjeve të evidentuara dhe mangësive në mënyrë që ky proces të shtyhet përpara,” ka vlerësuar, Besnik Tahiri, Koordinator Nacional për Reformën Shtetërore.
Në hapin e radhës, leximin e parë, ai pret të ketë vullnet të fortë dhe konsensus ndër-partiak për të përmbyllur një proces, i cili sipas Tahirit siguron organizim efikas të funksionimit të shtetit, e po ashtu për të kaluar këtë Ligj në Kuvend.
“Përmbyllja e këtij procesi do të qartësojë përfundimisht funksionimin e administratës shtetërore dhe do ta kthejë atë në bazën themelore përgjatë rrugëtimit tonë drejt integrimit evropian.”