Tahiri: Nuk kemi nevojë për Prokurori e Gjykatë të veçantë për krime lufte

| 19 Jan 2018 | 12:00 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se Kosova nuk ka nevojë për krijimin e një Prokurorie e Gjykate të veçantë për krime të luftës së viteve 1998-1999.

Sipas tij, në vend ekziston Prokuroria Speciale që merret me hetimin e këtyre krimeve dhe se Gjykata në vend janë kompetente për hetimin e këtyre krimeve, raporton Ekonomia Online.

Tahiri tha se ka informacione e që tashmë Prokuroria Speciale është duke u marrë me hetimin e disa rasteve të krimeve të luftës.

“Ju e dini që ne kemi një Prokurori Speciale që merret me krimet e kryera gjatë luftës në Republikën e Kosovë, poashtu i kemi edhe gjykata që janë kompetente për gjykimin e këtyre krimeve. Prokuroria Speciale e ka këtë mandat dhe nuk e shoh të arsyeshme që të krijojmë gjykata të tjera ose prokuroi të tjera që do të hetojnë krimet e luftës, sepse i kemi dhe unë e di jam i njoftuar se janë disa raste që tashmë janë duke u trajtuar nga Prokuroria Speciale”.

“Ata janë prokurorë që caktohen, nuk e di numri e saktë, mirëpo ata janë duke u marrë janë disa raste. Nëse do të jetë e nevojshme do të shtohet numër i gjykatëseve dhe prokurorëve, ajo është përgjegjësi e Këshillave. Për këtë vit vetëm në KGJK dhe KPK do të punësohen 300 persona”.

Deri në fund të vitit ai ka paralajmëruar se do të bëhet një vlerësim nëse Këshillat kanë arritur që të përmbushin detyrat dhe të arsyetojnë gjithë shpenzimet e bëra, në mënyrë që të ketë rezultate në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

“Në fund të vitit 2018 ne do të shohim se a janë arritur objektivat, a janë përmbushur detyrat dhe këto paga që kanë gjyqtarët dhe prokurorët. Ndihem mirë që kemi arritur që të jemi vendi i parë në rajon me pagën më të madhe, por presim efikasitet në luftën kundër krimit e korrupsionit”.

Sipas ministrit në disa nga burgjet e Kosovës me fillim nga viti 2019 do të konkretizohet plani për funksionalizim e njësive ekonomike.

Njësi këto në të cilat të burgosurit do të angazhohen në mënyrë që të jenë sa më të përgatitur për tu riintegruar në shoqëri pas vuajtjes së dënimit, raporton EO.

Kreu i MD-së në pyetjen se a kanë marrë nga Interpoli për heqjen nga lista e pjesëtarëve të UÇK, ndonëse nuk ka marr njoftimi zyrtar ministri u shpreh optimist se do të arrijnë të largojnë nga lista kërkuarit.

“Sa i përket kësaj çështje nuk kanë marr njoftim zyrtar mirëpo ne do të insistojmë në këtë çështje. Ashtu siç ia kemi dal në kërkesën e parë unë  besoj do të jemi efikas edhe në këtë të dytën”.

Ndërsa ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Korrektues, Sokol Zogaj tha se përveç buxhetit që do të ndahet për funksionalizimin e kësaj njësie do të kërkojnë edhe donacione shtesë për të.

“Këtu kemi ardhur sot me pa se si qëndron puna e zhvillimit të njësisë ekonomike dhe hapat që do të merren në të ardhmen. Do të thotë është i planifikuar edhe buxheti, do të kërkojmë edhe donacione të ndryshme por është një vullnet shume i mirë nga ana e ministrit unë besoj që  neve na mbetet ta impelemtojmë ketë vit  e sidomos në vitin 2019”.

Këto komente ai i bëri gjatë vizitës që i bëri Qendrës Korrektuese në Smerkonicë. Kjo qendër është hapur në vitin 2009 dhe ka kapacitet për rreth 200 persona. Aktualisht në këtë qendër vuajnë dënimit përafërsisht 100 persona.

Të ngjashme