Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ka bërë të ditur se kanë mbledhur nënshkrimet për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme, ku do të diskutohet për Ligjin e Sigurimeve Shëndetësore, si dhe për amendamentimin e Ligjit të Pagave, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se Qeveri Kurti nuk po merret me tema jetike të qytetarëve të Kosovës. “Më 14 shkurt 2021 ka qenë dita kur fitoi Vetëvendosje. Të enjten kur edhe kemi seancë, hyjmë në vitin e katërt të kësaj qeverie. Janë disa tema jetike për AAK-në të cilat do t’i ngrisim përmes 3 iniciativave”, tha Tahiri, duke përmendur ato.
Ai tha se kanë mbledhur nënshkrimet për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme për Ligjin e Sigurimeve Shëndetësore. Tutje, ai tha se AAK do të merret me pagat në sektorin publik, duke shtuar se paga mesatare duhet të jetë 1000 euro, dhe në fund tha se do të merren edhe me Ligjin për Pagën Minimale.
“Kemi mbledhur nënshkrimet për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme për ligjin e Sigurimeve Shëndetësore. Mos e bë Zot me iu sëmu dikujt prindi apo fëmija, krejt kursimet duhet me i shkri, me hy në borxh për shërimin”.
“Paga në sektorin publik – Me ligjin e Pagave dhe ka të bëjë me iniciativën tonë që e kemi nisur javën e kaluar, për amendamentimin e Ligjit të Pagave. Mendojmë që në sektorin publik paga mesatare duhet të jetë 1000 euro, një drejtor nuk guxon me pasë rrogën nën 1000 euro. Dhe me Ligjin për Pagën Minimale në sektorin privat dhe në momentin kur kjo iniciativë të përfundojë atëherë të veprojmë me Amendamentimin e Ligjit për Pagën Minimale”, tha Tahiri.